Një nga problemet kryesore të avancimit të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike është edhe fakti se pesë shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Megjithatë, në dy prej këtyre shteteve ka lëvizje. Bëhet fjalë për Greqinë dhe Spanjën.
Sa i përket Greqisë, janë zhvilluar takime të tëra, dhe duket se Athina e Prishtina janë vetëm një hap larg vendosjes së raporteve bilaterale.
Ndërkohë në Spanjë po raportohet se ka lëvizje edhe të qëndrimit të Madridit zyrtar sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës.
Të paktën kështu ka raportuar sot mediumi spanjoll “Epe.es”, në një shkrim ku flitet për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës.
Sipas këtij medium, fakti që kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka marrë pjesë në Samitin Bashkim Evropian- Ballkan lë të kuptohet se ky është një hap i parë i Spanjës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Këtë“Epe.es” e thotë, teksa kujton se në vitin 2018, ish-kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ishte larguar nga Samiti i vitit 2018 vetëm për të mos e njohur të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë në mesin e shteteve pjesëmarrëse.
“Që nga viti 2008, Spanja ka respektuar kufijtë evropianë të përcaktuar në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, në mënyrë që të mos komprometojë pozicionin e saj për mosndërhyrje në konflikte të tjera të pavarësisë. Edhe pse qeveria spanjolle ka shpenzuar vite duke shmangur vendosjen e çfarëdo lloj marrëdhënieje me ekzekutivin kosovar, pjesëmarrja e Pedro Sanchez në Samitin BE-Ballkan, në të cilin ai njohu një “kryeministër” kosovar si të tillë për herë të parë, sugjeron një hap të parë në normalizimi i marrëdhënieve”, shkruan “Epe.es”
Tutje teksa përmendet pozicioni i Spanjës, përmendet fakti se Madridi zyrtar kërkon një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit, qëndrim ky i shprehur zyrtarisht edhe nga diplomacia spanjolle.
“Tradicionalisht, diplomacia spanjolle e arsyeton refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në bazë të ligjshmërisë ndërkombëtare dhe stabilitetit në rajon. Ajo gjithashtu shmang bërjen e paraleleve mes situatës në Kosovë dhe asaj të Baskëve dhe Katalonjës, duke kujtuar se situata e tyre kushtetuese dhe ligjore është e ndryshme”, thuhet tutje në artikullin e “Epe.es”.
/TV Malisheva