“9/11 Dedication Film Festival” ishte festivali dedikuar 11 Shtatorit i cili për herë të parë u organizua në vitin 2003, ndërsa viti 2014 ishte i fundit në të cilin u bë organizimi i tij.

Organizatori i këtij festivali, Blerim Gjoci tha se arsyeja kryesore e mbylljes së festivalit ishte largimi i tij nga Kosova.

Ai tregoi edhe misionin e organizimit të këtij festivali, duke theksuar se përmes tij donin të dëshmonin miqësinë me SHBA-të.

“Ne kishim nisë një festival me mision të dëshmonim se të krijuarit është gjithmonë më e fuqishme se shkatërrimi, të ringjallnim kinematografinë në Kosovë, që ishte në gjendje “komatike”, nëse mund ta quaj ashtu dhe të dëshmonim miqësinë me SHBA-të”, tha ai.

Gjoci tregoi se në kuadër të këtij festivali u mblodhën ndihma dhe u dërguan për fondin e viktimave të 11 shtatorit.

“Besoj të tri këto misione edhe u arritën. Filmat u krijuan dhe dëshmuan forcën krijuese, kinematografia u ringjall dhe ato/ata që bënë hapat e parë në këtë festival sot po përfaqesojnë Kosovën anë e kënd botës! Ndërsa festimi i miqësisë me SHBA-të jehoi deri në Washington.”

“Në secilin edicion Ambasadorët e SHBA-së bënin mbylljen e festivalit. Nga Amerika gjithmonë kishim një anëtar jurie, madje edhe nga Sundance, pastaj mblodhëm ndihma dhe dërguam për fondin e viktimave të 11 shtatorit”, u shpreh Gjoci.

Organizatori i këtij festivali tha se u bën përpjekje që “9/11 Dedication Film Festival” ta vazhdonte traditën, por që një gjë e tillë fatkeqësisht nuk ndodhi.

“Besoja se Qendra kinematografike e Kosovës do ta fuste nën ombrellen e vet këtë festival, pasi prodhon filmin e shkurt, por kjo nuk ndodhi, ndërsa pas shkuarjes sime pat tentime që festivali i perkujtimit 9/11 – shkurt e shqip të vazhdonte traditën, por fatkeqësisht dolën të pasuksesshme këto tentime”

Tutje, Gjoci foli edhe për mundësinë e rikthimit të këtij festivali, duke thënë se është skeptik, por që sipas tij gjithçka është e mundur.

Share.