Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mos mashtrohet nga thirrjet për një armëpushim të përkohshëm ose të pakushtëzuar në Ukrainë.
Këto deklarata ai i bëri para Këshillit të Sigurimit, që mbajti mbledhje për të shënuar njëvjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Paralajmërimi i Blinkenit erdhi disa orë pasi Kina bëri thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës si pjesë e planit të saj 12-pikësh, që kryesisht përsërit qasjen e Pekinit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, shkruan REl.
“Çdo paqe që legjitimon marrjen e tokës nga Rusia përmes forcës do të dobësojë Kartën e OKB-së dhe do të dërgojë mesazh te të gjithë shtetet kudo në botë që duan të bëhen agresorë, se ata mund të pushtojnë shtete të tjera dhe të mos ndëshkohen”, tha Blinken.
Blinken tha po ashtu se Perëndimi ka shqetësime se Moska do të përdorte një armëpushim të mundshëm për të pushuar dhe për t’u riarmatosur.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23 shkurt, me shumicë votash miratoi një rezolutë joobligative që bënte thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” në linjë me Kartën e OKB-së. Kjo rezolutë sërish bëri thirrje që Moska të tërheqë trupat e saj dhe të ndalë luftimet.
Në Kiev, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mirëpriti disa elemente të propozimit kinez për armëpushim, por tha se ai nuk ishte plan konkret.
“Kina tregoi mendimet e saj. Besoj se fakti që Kina ka nisur të flasë për Ukrainën nuk është diçka e keqe. Por, pyetja është se çfarë vjen pas fjalëve. Pyetja është në hapat dhe ku do të çojnë ato”, tha Zelensky gjatë një konference për media.
“Propozimi përkon në disa mënyra me ligjin ndërkombëtar dhe me integritetin territorial, tha Zelensky, duke shtuar se “le të punojmë me Kinën në këtë çështje”.
Zelensky po ashtu tha se ka disa pjesë që ai nuk pajtohet dhe i bëri thirrje Pekinit që të mos i ofrojë armë Moskës.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën se po e shqyrton mundësinë që të furnizojë me armë Rusinë dhe e ka paralajmëruar Pekinin kundër kësaj lëvizjeje. /TV Malisheva