Sekretari i Shtetit i SHBA, Anthony Blinken, ka biseduar përmes telefonit edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Lajmi është konfirmuar nga presidenca serbe që kanë thënë se mes temave për të cilat është diskutuar ka qenë edhe Kosova.

“Tri temat kyçe të bisedës telefonike ishin çështja e Kosovës dhe dëshira e administratës amerikane për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë, pastaj marrëdhëniet e Republikës së Serbisë me Federatën Ruse, si dhe diversifikimi i burimet energjetike të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Sekretari Blinken thuhet se e ka informuar presidentin serb për domosdoshmërinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje me Republikën e Kosovës dhe thuhet se presidenti Vuçiq ka prezantuar pikëpamjet e Republikës së Serbisë.

Me herët, Blinken ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përmes një njoftimit, u bë e ditur se Kurti e ka njoftuar sekretarin Blinken për progresin në vend.

“Ata biseduan edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”, thuhej në komunikatë.

Së fundmi, presidenti serb tha se në tryezë është një propozim franko-gjerman për dialogun. Thelbi të cilit është që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare por pa detyrimin që të njohë pavarësinë e Kosovës.

Share.