Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje për Shqipëri, Biken Abazi, ka hedhur kritika të ashpra ndaj takimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Forumin për Bashkëpunim Rajonal.

Këtë takim Abazi e ka ndërlidhur me atë të Londrës të mbajtur 108 vite më parë.

Abazi madje kryeministrin Rama e ka quajtur kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë.

“Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Abazit./TV Malisheva

Ky është reagimi i plotë:.

108 vite nga Konferenca e Londrës te marrëveshjet e “Jugosllavisë së Re”.

Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t’i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike që populli shqiptar e vuan sot e kësaj dite.

Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e “Zonës së Novi Sadit” (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen).

Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin. Me këto marrëveshje Rama tenton të sabotojë përpjekjen për ta vendosur Serbinë para drejtësisë për krimet dhe gjenocidet që ka kryer ndaj kombit shqiptar, duke i pastruar imazhin ndërkombëtarisht dhe duke ia normalizuar politikat agresive një Serbie që nuk kërkoi kurrë falje. Me këto nënshkrime Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit.

Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!

Share.