Ndeshja e Champions Leagues Liverpool – Atletico me shumë gjasa ka influencuar në përhapjen e koronavirusit në Britaninë e Madhe si dhe infektimin në masë të njerëzve në ishull.

Është kjo një ndër hipotezat më të debatuara të këtyre ditëve në Mbretërinë e Bashkuar, një mundësi që së fundmi është diskutuar gjithashtu edhe nga vetë këshillëtarët e qeverisë britanike, për sektorin e shëndetësisë.

Bëhet fjalë për sfidën e kthimit në Champions Liverpool–Atletico Madrid, ndeshje e luajtur në ‘Anfield’ më datë 11 mars, ku bardhekuqtë përmbysën disavantazhin në kohën shtesë, për të siguruar kualifikimin për në fazën cerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 4-2, duke eliminuar në këtë mënyrë pikërisht kampionët në fuqi.Në ‘Anfield’ ishin të pranishëm plot 52.000 spektatorë, 3.000 prej të cilëve kishin udhëtuar nga kryeqyteti spanjoll.

Shumë raste fatale në zonën e Merseysidet janë lidhur pikërisht me këtë takim dhe me të drejtë në ishull vazhdojnë diskutimet nëse kjo ndeshje duhej të ishte zhvilluar, apo duhet të ishte shtyrë në kohë, njësoj siç u veprua edhe me sfidat e tjera Bayern – Chelsea, Juventus – Lyon dhe Barcelona – Napoli.

Deri tani nuk ka asgjë të dëshmuar, megjithatë këtij debati së fundi i është bashkuar vetë zëvendës/këshilltarja e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për sektorin e shkencës Angela McLean, e cila shpjegoi se një cështje e tillë meriton një hetim të mëtejshëm.

McLean deklaroi se të gjithë duan të kuptojnë nëse janë bërë zgjedhjet e duhura dhe kërkimet e nevojshme shkencore, në një rast të tillë, për të gjetur pra lidhjen e koronavirusit me duelin Liverpool – Atletico dhe për të zbuluar detaje të mëtejshme për virusin COVID-19 që ka qarkulluar ato kohë në Madrid apo dhe nivelin e përhapjes së këtij virusi ato ditë në qytetin më të madh të zonës në Merseyside.

Angela McLean është gjithashtu profesoreshë për biologjinë matematikore në Departamentin e Zoologjisë, në Universitetin e Oksfordit dhe këshilltare shkencore kryesore në Ministrinë e Mbrojtjes, e në konferencën e përditshme për koronavirusin ndihmësja e kryeministrit Boris Johnson la të kuptohet se qeveria ka të dhëna për një shtim të ndjeshëm të rasteve në qytetin e Liverpulit menjëherë pas këtij takimi.

Më herët Drejtori i Këshillit të këtij qyteti për Shëndetësinë Publike Matthew Ashton deklaroi për The Guardian se ndeshja e kthimit Liverpool–Atletico as që duhej të ishte luajtur fare, ndërsa kryebashkiaku i Madridit Jose Luis Martinez– Almeida rrëfeu në fundjavë se ishte një gabim i rëndë fakti që u lejuan me mijëra fansa të Atleticos për të udhëtuar drejt ishullit për të ndjekur këtë takim.

Martinez–Almeida shtoi për Radion Spanjolle Onda Cero se nuk kishte asnjë lloj kuptimi fakti që iu krijuan mundësitë 3.000 tifozëve të “Los Colchoneros”, për të ndjekur sfidën e kthimit në Angli. Mbretëria e Bashkuar deri ditën e hënë kishte 125.000 raste me koronavirus, prej të cilëve 16.500 kanë rezultuar fatale, e dhënë kjo që e klasifikon këtë vend në pozicionin e pestë në rruzull për nga vdekshmëria, me një koeficient tepër të lartë, afërsisht 13.5 %, pra pothuajse aq sa edhe Italia.

Statistikat më të fundit kanë konfirmuar se janë plot 246 vetë që kanë humbur jetën këto kohë vetëm në Spitalet e Liverpoolit, sakaq në krahun tjetër Madridi përfaqëson një ndër qytetet më të prekura në Evropë me virusin COVID-19, ndërsa Spanja me 200.000 raste renditet sipas Universitetit Johns Hopkins në Baltimore në vendin e dytë në glob, pas vetëm Shteteve të Bashkuara dhe vendi iberik numëron plot 21.000 të vdekur.

Ndeshja tjetër e Ligës së Kampionëve, ajo mes Atalantas dhe Valencias u konsiderua si ‘bombë biologjike’ për përhapjen e koronavirusit në Itali dhe Spanjë.

Share.