Bashkimi Evropian dënoi ashpër sot forcat e armatosura ruse për vazhdimin e bombardimeve të popullsisë dhe infrastrukturës civile në Ukrainë dhe rrethimin e qytetit të Mariupolit.

Në një deklaratë me shkrim, ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell dënoi bombardimin e teatrit në Mariupol, i cili në Bruksel thuhet se ka shërbyer si strehë për civilët, përfshirë fëmijët.

Borrell citon gjithashtu raportin e Human Rights Watch, se forcat ruse sulmuan qytetin Nikolaev me municion kasetë.

“Sulme të tilla të qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të turpshme, të dënueshme dhe plotësisht të papranueshme. Ato përfaqësojnë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Borrell.

Ai thekson, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Rusia duhet të ndalojë aksionin ushtarak dhe të tërheqë menjëherë dhe pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës.

Në emër të BE-së, ai i bëri thirrje Rusisë që të vendosë një qasje të papenguar humanitare ndaj Ukrainës.

“Rusia nuk ka të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar të përdorë forcën e njëanshme në territorin e një vendi të tretë dhe mban përgjegjësi të plotë për këto akte të agresionit ushtarak dhe të gjitha shkatërrimet dhe humbjet e jetëve që ato shkaktojnë. Autorët e këtyre veprave të rënda dhe krimeve të luftës, si dhe nëpunësit civilë dhe udhëheqja ushtarake, do të mbajnë përgjegjësi për këtë”, përfundoi Borrell.

Share.