Gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar pesë ish-policë, serbë etnikë, për kryerjen e krimeve të luftës ndaj civilëve boshnjakë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë më 1992-1995.
Millan Gjokiq dhe Bratisllav Trisiq u dënuan me nga tre vjet burgim, ndërkaq Zoran Tanasiq, Zharko Millanoviq dhe Mlladen Krajsnik, me nga dy vjet burgim.
REL shkruan se ata u gjetën fajtorë për torturim të boshnjakëve në zonën Bielina në verilindje të Bosnjës nga prilli i vitit 1992 deri në fund të shtatorit të vitit 1994, mbi baza politike, kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare.
Të pandehurit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërkaq tre të pandehur të tjerë, Savo Mërsiq, Millivoje Çobiq dhe Millan Markoviq, u liruan nga të gjitha akuzat.
Gjokiq ishte komandant policie në Janja nga fundi i vitit 1992 deri në qershor të vitit 1993, dhe më vonë u bë zëvendëskomandant. Tanasiq, Millanoviq dhe Krajsnik, ishin zyrtarë policorë në Janja, ndërkaq Trisiq ishte zyrtar i Shërbimit Shtetëror Sekret.
/TV Malisheva