Në kuadër të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, doli nga shtypi libri, “Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi (1989) – Sipas dokumenteve sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe të Administratës“, Përgatitur dhe përkthyer nga Sadik MEHMETI dhe Hysen MATOSHI, Prishtinë, 2019, f. 770.
Në këtë vëllim ofrohen të dhëna për 245 të burgosur politikë shqiptarë që asokohe dergjeshin në burgjet jugosllave.
Ndër të burgosurit politikë ka emra të njohur për opinion e gjerë, të dalluar qoftë në periudhën e vuajtjes së dënimit, qoftë si të tillë që u shquan në zhvillimet historike në periudhën e mëpastajshme të ndryshimit të statusit të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi. Në krye të herës do përmendur Adem Demaçin, pa dyshim, të burgosurin politik më të njohur në mbarë Jugosllavinë e atëhershme, sikundër edhe Fehmi Lladrovcin, i cili më vonë, në luftën heroike të UÇK-së ishte komandant dhe ndër heronjtë emblemë të saj, por edhe Jakup Krasniqin (pas çlirimit kryetar i Kuvendit të Kosovës, ushtrues i detyrës së kryetarit të Kosovës), Bajram Kosumin (kryeministër), Ramë Bujën, Tahir Hanin (ministra), Elmi Reçicën, Hydajet Hysenin, Gani Krasniqin, Ali Lajçin, Mehmet Hajrizin, Gani Kocin, Bajrush Xhemajlin, Emin Krasniqin, Sami Kurteshin, Billall Sherifin, Esat Brajshorin, Berat Luzhën, Shemsi Veselin, Nait Hasanin, Halit Krasniqin etj. (deputetë); pa lënë anash edhe faktin se shumë prej tyre kryen detyra të rëndësishme në nivelin qendror dhe atë lokal, si drejtues institucionesh, gjeneralë, kryetarë komunash, këshilltarë etj. Një numër prej tyre, fatkeqësisht, në ditën e botimit të kësaj vepre, nuk janë më fizikisht mes nesh.

Fotografia e Dega e Historisë - Instituti Albanologjik Prishtinë

Share.