Shteti i Kosovës aktualisht gjendet i braktisur nga tre krerët kryesorë të tij, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ky veprim pos që është në kundërshtim me Ligjin për protokollin e shtetit, po ashtu është i paprecedentë për kohën nëpër të cilën po kalon Kosova.
Nuk ka shumë ditë kur vendi ynë u sulmua nga një grup terrorist, të cilit i printe Milan Radojçiq, e ku gjatë konfrontimit me ta në mbrojtje të atdheut, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
Shumë nga anëtarët e këtij grupi ia dolën që të arratisen në Serbi. Kjo ka bërë që si përfaqësues ndërkombëtarë ashtu edhe tre nga drejtuesit shtetërorë të pohonin në vazhdimësi se rreziku nga sulme të tilla nuk ka kaluar përfundimisht. Dhe se ato mund të përsëriten.
Mirëpo, edhe përkundër këtij kërcënimi, pikërisht tre udhëheqësit kryesorë institucionalë u larguan nga Kosova, në një kohë, kur në asnjë mënyrë nuk duhej ta bënin një gjë të tillë.
Siç dihet Presidentja ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Kroaci, Kryeministri në Mbretërinë e Bashkuar, i cili po merr pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste, kurse Kryeparalmentari Glauk Konjufca po qëndron po ashtu për një vizitë zyrtare në Gjermani.
/TV Malisheva