Qeveria e Britanisë së Madhe ka surprizuar banorët në veri të vendit me vendosjen e disa masave kufizuese brenda natës.

Ndryshimet do të prekin 4 milionë qytetarë, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Familjarët, të cilët jetojnë në banesa të ndryshme, nuk mund të takohen në ambiente të mbyllura në Manchester, Lancashire dhe West Yorkshire, si pjesë e masave që erdhën pas shtimit të rasteve me Covid-19.

Gjithashtu, qendrat e përkujdesjes dhe azilet kanë pezulluar planin për pranimin e vizitave nga familjarët, pasi mungojnë testet për stafin dhe të moshuarit.

Kufizimet e reja janë kritikuar nga opozita laburiste, që nënvizon se erdhën pa asnjë paralajmërim dhe se janë të paqarta.

Por qeveria i ka mbrojtur ato.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock thotë se njoftimi 3 orë përpara vendosjes së masave ishte më se i mjaftueshëm.

Britania e Madhe raportoi të enjten, numrin më të lartë të rasteve ditore me koronavirus në muajin e fundit duke shtuar frikën për një valë të dytë./Tv Malisheva

Share.