Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet të bëjë të ditur ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, gjatë një adresimi para Parlamentit në Kiev të martën, 3 maj.

Paraqitja e tij në këtë institucion do të jetë e para e një lideri të huaj, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.

Johnson pritet të lavdërojë forcat ukrainase për rezistencën e tyre, kur të deklarohet përmes video-linkut, si dhe të bëjë të ditur ndihmën prej 376 milionë dollarësh për Kievin, ka thënë zyra e tij.

Britania tashmë ka dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë raketa dhe lansuese raketash.

Ndihma e re do të përfshijë pajisje të reja luftarake, sisteme radari dhe mijëra pajisje që mundësojnë shikimin natën.

Në fjalimin e tij, Johnson do të përmendë edhe adresimin e vitit 1940 të liderit Winston Churchil, teksa Britania është përballur me agresionin e Gjermanisë naziste.

Johnson do të deklarojë se “populli britanik ka treguar atëherë një unitet dhe vendosmëri të tillë, që ne e kujtojmë si kohën tonë më të mirë. Kjo është koha më e mirë e Ukrainës, një kapitull epik i historisë kombëtare, që do të kujtohet nga gjeneratat e ardhshme”.

Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të propozojë paketë të re masash, duke përfshirë embargo në naftën ruse, kanë thënë zyrtarët.

Sanksionet do të shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, e cila do të përjashtohet nga sistemi SWIFT, kanë thënë disa diplomatë pa u identifikuar.

Në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, përpjekjet për evakuim të civilëve janë penguar, pasi Rusia ka rinisur bombardimet në fabrikën e çelikut Azovstal, ku qindra njerëz kanë mbetur të bllokuar, një ditë pasi grupi i parë ka dalë nga bunkerët nëntokësorë.

Zëvendëskryetari i Mariupolit, Sergei Orlov, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se negociatat e nivelit të lartë janë duke vazhduar në mes të Ukrainës, Rusisë dhe organizatave ndërkombëtare për më shumë evakuime.

Përpjekjet e kaluara për të hapur korridore të sigurta në këtë qytet, kanë dështuar.

Lokacioni strategjik i Mariupolit – afër Gadishullit të Krimesë – e ka bërë këtë qytet shënjestër të bombardimeve të vazhdueshme ruse, duke e shkatërruar këtë vend që para luftës kishte rreth 400,000 banorë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Aktualisht besohet se rreth 100,000 njerëz janë ende në Mariupol, duke përfshirë rreth 2,000 ushtarë ukrainas që gjenden në kompleksin Azovstal, pjesën e vetme të qytetit që nuk është pushtuar nga rusët.

Për luftime është raportuar edhe në qytetin Odesa dhe në lindje të Ukrainës.

Këshilli i qytetit të Odesas, ka thënë se një djalosh 15-vjeçar është vrarë si pasojë e sulmeve ruse.

Prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar më 24 shkurt, trupat e saj kanë dështuar të marrin kontrollin e ndonjë qyteti të madh ukrainas.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Moska është duke planifikuar që të marrë edhe zyrtarisht kontrollin e rajoneve në lindje të Ukrainës.

Michael Carpenter, ambasadori amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), ka thënë se Rusia është duke synuar që të aneksojë territoret e Donjeckut dhe Luhanskut në rajonin Donbas përmes referendumeve, pasi nuk ka arritur të rrëzojë Qeverinë në Kiev.

Rusia është përballur me rezistencë të ashpër në rajonet rreth Kievit dhe Çernihivit, prandaj ka zhvendosur trupat në jug dhe lindje të shtetit, kur luftimet janë shtuar ditëve të fundit.

Juglindja e Ukrainës është zonë strategjike për Rusinë, pasi mundëson lidhjen me Krimenë.

Moska ka rritur shqetësimet se mund të zgjerohet edhe më shumë, përkatësisht në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transdniestër, e cili përkrahet nga Rusia dhe vendet në kufi me Ukrainën.

Moldavia ndan kufirin me Rumaninë, vend anëtar i NATO-s.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë më 2 maj që presidenti rus, Vladimir Putin, duhet t’i japë fund luftës dhe “vrasjeve të pakuptimta”.

Pasi ka takuar kryeministrin indian, Narendra Modi në Berlin, Scholz ka thënë se Putin nuk do të shohë heqje të sanksioneve pa arritur marrëveshje për paqe me Ukrainën./rel/

/TV Malisheva

Share.