Rusia po përdor kontraktorin privat ushtarak, Wagner, për të forcuar ushtrinë e saj në pushtimin e Ukrainës, tha inteligjenca ushtarake britanike.
Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, tha më 18 korrik se Wagner po ul standardet e rekrutimit dhe po punëson të dënuar dhe persona që janë në listë të zezë. Kjo, sipas Britanisë, potencialisht mund të ndikojë në efektivitetin e ushtrisë ruse.
Wagner besohet se kontrollohet nga Yevgeny Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.
Ky njoftim i inteligjencës britanike vjen një ditë pasi kreu i forcave të armatosura të Britanisë, admirali Tony Radakin, tha se Rusisë i kanë vdekur ose plagosur afër 50.000 ushtarë gjatë pushtimit të Ukrainës, ndërsa i janë shkatërruar rreth 1.700 tanke.
Duke u përballur me numër të lartë të viktimave në luftën në Ukrainë, Qeveria e Putinit dhe ushtria kanë ndërmarrë një sërë hapash për të rritur rekrutimin e ushtarëve, pa – të paktën tash për tash – urdhëruar mobilizim të përgjithshëm që mund të ketë rreziqe politike.
Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se Rusia ka humbur mbi 38.450 ushtarë dhe oficerë qëkur nisi pushimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë për herë të fundit ka publikuar në mars shifrat e të vdekurve, duke pranuar se i janë vrarë 1.351 ushtarë./rel/
/TV Malisheva