Rreth 150 britanikë, që do të evakuohen sot nga Wuahni i goditur nga coronavirusi, do të qëndrojnë për 14 ditë në karantinë në Milton Keynes.
Autoritetet e sigurisë, kanë bërë të ditur, se një qendër konferencash dhe një hotel, do të jenë në dispozicion për këto dy javë, që t’i mbajnë të mbyllur të prekurit nga sëmundja vdekjeprurëse, deri në shërimin e tyre.
Secili që do jetë nesër në bordin e atij aeroplani transportues, do t’i nënshtrohet kontrollit sapo të aterrojnë në Britani të Madhe, ndërsa detyrohet të bëjë edhe vizitat e rregullta, derisa të sigurohet se gjithçka është në rregull.
Lajmi vjen në kohën, kur është bërë e ditur se 638 persona kanë humbur jetën si pasojë e coronavirusit, derisa 31,520 janë të sëmurë.
Ditë më parë, burime pranë qeverisë britanike, kanë mësuar se anëtarët e parlamentit, po e konsiderojnë mundësinë, që t’i vënë një ndalesë një javore Kinës, në mënyrë që të ndalojnë përhapjen e këtij virusi.