Ndeshjet e play-offit mund të jetë rruga përmes së cilës Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mund të synojë që të arrij deri tek titulli kampion, por ky rrugëtim nuk do të jetë aspak i lehtë, sidomos kur dihet që sot bardhekaltërit do të ballafaqohen me Prizrenin 16 në ndeshjen e parë të kësaj faze e cila zhvillohet në Prizren.
Edhe pse në mungesë të shumë lojtarëve kyç për shkak të lëndimeve si Mitchell, Faye, L. Zeqiri, Brown dhe Dedushaj, Sigal Prishtina ka kryer stërvitjet me intensitet të plotë dhe shprehen të motivuar dhe të gatshëm për të synuar vetëm fitore në ndeshjen e parë ndaj Prizrenit.
Drejtori gjeneral i klubit Edmond Azemi thotë se Prizreni 16 është një skuadër shumë e papërshtatshme për çdo kundërshtar, por skuadra nga kryeqyteti ka synim vetëm fitoren nga ky ballafaqim.
“Lojën e parë e kemi me Prizrenin 16, është skuadër e mirë, ka treguar lojëra të mira dhe probleme kemi që kemi lojtarë të lënduar. Tre deri në katër lojtar të lënduar janë lojtarë kyç të skuadrës tonë por prapë se prapë kemi këta lojtar vendor që kemi punuar deri më tani edhe këta lojtar që I kemi natyralizuar që janë shqiptar nga Maqedonia dhe Kroacia që llogoriten si vendor, ata do të japin zemrën në fushë dhe me këtë skuadër të shkojmë për fitore…Skuadra e Prizrenit është një skuadër që vrapon shumë, arma e tyre kryesore janë kundër-zbritjet”, tha Azemi.
Luftë nga fillimi deri në fund të këtij ballafaqimi pret trajneri kroat Ante Nazor. Ai thotë se Prizreni është skuadër që duhet respektuar, por shkojnë atje për ta shijuar ndeshjen dhe për ta fituar atë.
“Para se gjithash unë pres një ndeshje shumë të fortë. Ky është një kundërshtar shumë serioz, ata na kanë mposhtur tre herë këtë vit. Ne I respektojmë shumë ata dhe ne duhet të jemi gati për këtë betejë. Duhet të luftojmë nga fillimi deri në fund të ndeshjes, të fokusuar nga fillimi deri në fund. Ta luajmë këtë sfidë me kënaqësi, të shkojmë në Prizren dhe ta shijojmë lojën”, ka thënë Nazor.
Kapiteni Muhamedali Janjeva thotë se sfida e parë me Prizrenin është shumë e rëndësishme, por ai dhe bashkëlojtarët kanë një synim të qartë, të fitojnë në Prizren si dhe në ndeshjen kthyese në Prishtinë në fundjavë.
“Skuadra është shumë e përgatitur, skuadra është pak me mungesa të lojtarëve të huaj, por lojtarët vendor jemi maksimalisht të përgatitur, jemi të fokusuar për të fituar nesër. E kemi pasur lojën të dielën, si një lojë testuese, e kemi analizuar lojën shumë mirë të Prizrenit. Është lojë shumë e rëndësishme, normal çdo lojë e play-off-it është shumë e rëndësishme por shpresojmë që do të korrim fitore në Prizren dhe të kthehemi të dielën të përfundojmë me 2-0…Skuadra e Prizrenit është një skuadër shumë e mirë, I ka lojtarët shumë të mirë. Dy lojtarët vendor shumë të mirë dhe tre lojtarë të huaj shumë të mirë, e kanë fituar Superkupën dhe kjo tregon që vërtetë skuadër e mirë, vendin e tretë e kanë zënë në Ligën Unike, kjo tregon që kemi një rival shumë dinjitoz dhe nuk I dihet se kush do të fitojë shumë lehtë në fund”, tha Janjeva.
Që sfida me Prizrenin nuk do të jetë fare e lehtë e thotë edhe basketbollisti amerikan Henry Dugat, por shton se me një angazhim maksimal Prishtina mund të dal fituese nga ky takim.
“Po, ne presim të fitojmë. Mënyra se si mund të luajmë, si do ta bëjmë punën tonë, t’I bëjmë gjërat që kemi nevojë t’I bëjmë. E di që nuk do të jetë lojë e lehtë, sidoqoftë, por mendoj që ne mund t’ia dalim”, tha Dugat.
Ndeshja ndërmjet Prizrenit 16 dhe Sigal Prishtinës do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Skuadra që arrin dy fitore do të ndeshet me Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale.
/TV Malisheva