Ne nuk do t’i lëmë të pambrojtur interesat e qytetarëve bullgarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose të njerëzve me identitet bullgar, tha të mërkurën në Parlament ministri i Jashtëm në detyrë, Nikolai Milkov. Ai shtoi se qeveria do të marrë masa vendimtare në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në strukturat e Bashkimit Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të cilën aktualisht e kryeson Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë, kjo nuk është një qasje produktive. Duhet kuptuar qartë se gjërat kanë ndryshuar. Ne do të shqyrtojmë një sërë komponentësh dhe elementësh të bashkëpunimit tonë dypalësh me këtë shtet fqinj”, tha ministri i Jashtëm.

Ai shtoi se Hristian Pendikov ka marrë kërcënime në internet gjatë kohë sa ishte në spital. Kjo, sipas Milkovit, tregon për mosndëshkimin e plotë të personave që i dërgojnë këto kërcënime dhe besimin e tyre të fortë se do të mbeten të paidentifikuar.

Për shkak të sulmit ndaj sekretarit të klubit kulturor bullgar të Ohrit, Hristian Pendikov, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme mbajti të mërkurën një seancë të mbyllur me ministrin e Jashtëm Milkov dhe ambasadorin e Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angel Angelov.

“Jemi shumë të befasuar nga gjuha e paqartë e institucioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Angelov. Ai vuri në dukje qasjen e palogjikshme të autoriteteve maqedonase – derisa ministri i Jashtëm maqedonas Bujar Osmani fliste për krimin e urrejtjes në Sofje, zëvendësministri maqedonas i vetëqeverisjes lokale tha se sulmi ishte për shkak të keqkuptimit të shpërndarësve të drogës.

Ambasadori hodhi poshtë pretendimet e Shkupit se Pendikov ishte gjykuar për trafikim droge dhe tha se ekziston një dokument i bullgarit që vërteton të kundërtën. Angelov konsideroi si problem kryesor mosndëshkimin e gjuhës së urrejtjes, e cila krijoi atmosferë negative dhe çoi në sulmin ndaj Pendikovit./BTA

/TV Malisheva

Share.