Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të një dite më parë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku cilësoi si “çmenduri bullgare” veton ndaj Maqedonisë së Veriut, që si pasojë pengoi nisjen e negociatave për anëtarësim.

“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të BE-së që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në BE.

“Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.

Por, Rama nuk ka vonuar të kundërreagojë ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, duke thënë se edhe ai ka një problem me Bullgarinë se si dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe. Ai ka thënë se Bullgaria ose duhet të heq veton, ose duhet ta durojë atë.

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni!”, shkroi Rama në Twitter.

 

/TV Malisheva

Share.