Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për miratim në lexim të parë Projekt-ligjin për Buxhetin e Kosovës. Ky Proekt-ligj kap shifrën e 3.3 miliardë eurove për dallim nga viti i kaluar që ishte 3.2 miliardë euro.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se ky buxhet është buxhet i mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik. Sipas tij “buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet në programin e Qeverisë për nevojat e qytetarëve, për një ekonomi të fortë me më shumë vende të punës, për shëndetësi gjithëpërfshirëse me shërbime më të mira, për arsim të zhvilluar e sundim të ligji
Ndërkohë, po ashtu ai ka lavdëruar edhe hapat e deri tanishëm që ka marrë qeveria e tij në hapjen e vendeve të reja të punës. Gjatë ekspozesë në Kuvend, Kryeministri pohoi se “ekonomisë së Kosovës i janë shtuar 60 mijë vende të reja pune. Kurse vetëm nga super puna janë rekrutuar mbi 7000 mijë të rinj, që i bie mbi 1000 të punësuar në muaj. Me këtë buxhet koeficienti i pagave do të jetë 110 euro. Duke mos përjashtuar as ndihmat për nënat lehona shuma e të cilave për vitin 2024 do të jetë 96 milionë euro.
Kurse sa i përket investimeve në komuna ai ka thënë se ky buxhet është edhe i tyre, por duke shtuar se ai është edhe Luginës së Preshevës, sepse është rritur mbështetja për atë rajon në 3 milionë euro, më e larta ndonjëherë në historinë e Kosovës.Mirëpo në anën tjetër partitë opozitare kanë pasur kritika të ashpra lidhur projektimin dhe planifikimin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2024.
Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka pohuar se ky subjekt nuk e mbështet këtë buxhet sepse si i tillë ai nuk i plotëson as për së afërmi pritjet dhe kërkesat e qytetarëve, bizneseve dhe organizatave buxhetore. Ndonëse mund të duket i madh në shifër, ai i bënë qytetarët edhe me të varfër, sepse pjesën me të madhe është i orientuar nga skemat sociale, konsumi dhe jo nga hapja e vendeve të reja të punës dhe mbështetja e ndërrmarësisë.
Me këtë rast fjalimet populiste nuk po i ngopin qytetarët, mirëpo po del në sipërfaqe fytyra e vërtetë e këtij pushteti. Mbi 1 miliardë janë paraparë për ndihma sociale, pra mbi 32 përqind e buxhetit, çfarë do të ndikoj të rritet konsumi, inflacionit dhe importit, si dhe do të shkatërrohet zinxhiri prodhues i vendit. Në fund deputeti në fjalë ka kujtuar se mbi 500 milionë euro janë për mallra dhe shërbime që i bie më shume luks qeveritar deri sa varfëria po shtohet.
Kurse deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti ka kërkuar që ky buxhet të shihet dhe të vlerësohet edhe në kontekst të qeverisjes katërvjeçarë të partisë në pushtet, sepse ky është buxheti i fundit i kësaj mazhorance brenda këtij mandati. Gjatë kësaj periudhe kohore ky pushtet ka menaxhuar në total me 11.4 miliardë euro që i ka pasur në dispozicion. E deri më mbarim të këtij viti shpenzohen 8.1 miliardë euro.
Mirëpo, këto shpenzime nuk kanë pasur asnjë efekt konkret zhvillimor. Dhe arsyet e kësaj anomalie sipas tij qëndrojnë në faktin se ka ndërruar struktura e buxhetit, pra është përkeqësuar struktura e tij. Kështu, nëse e krahasojmë vitin 2017 me vitin 2022 investimet kapitale ka rënë nga 36 % në 16 % ,si shpenzim real dhe jo si planifikim. Ndërkaq, subvencionet nga 23 % janë rritur në 41 %. Dhe kjo është arsyeja që nuk shohim zhvillim real ekonomik, por vetëm rritje masive të subvencioneve.
Mirëpo, ai ka pyetur se ku kanë shkuar këto subvencione? Mbase disa kanë qenë të arsyeshme. Shumica prej tyre jo. Bie fjala në vitin 2017, 41 milionë ka qenë shuma që janë mbështetur ndërprerjet publike, kurse në vitin 2022 kjo vlerë ka arritur në 233 milionë euro, Ndërkohë, vetëm për subvencionim te energjisë në veri janë shpenzua 113 milionë euro. Po ashtu, kjo qeveri ka dështuar edhe sa i përket zotimeve të saj.
Janë premtuar 160 çerdhe, por në realizim janë rreth 10, 5 janë ndërtuar kurse 5 që janë planifikuar por vitin 2025. Zotimet për sigurimet shëndetësore as që kane filluar, banimi i përballueshëm social askund, fondi sovran ka kaluar në lexim të parë, por nëse kalon edhe në të dytin vetëm sa do të shkaktojë pengesa të mëdha. Banka Zhvillimore, një tjetër premtim ky, siç duket nuk është as në letër.
Ndërkaq, në bazë të kornizës makro fiskalë edhe tredni i rritjes ekonomike është negativ. Nëse tremujorin e dytë të vitit 2021 ka qenë 16 % mbase e kuptueshme për shkak të pas pandemisë, muaji pas muaji ky trend ka përfunduar në 2%. Shkaqet mund të jenë të ndryshme sikur se fakti pse janë rritur normat e interesit në sistemin bankar.
Megjithatë njëri nga shakatarët kryesorë, gjendet te dallimi në mes planifikimit dhe realizmit të shpenzimeve kapitale gjatë këtyre tri viteve, ky dallim është rreth 1 miliardë euro. Pra 1 miliardë janë më pak të shpenzuara në investime kapitale, nga 24 % në 16 %. Dhe çdo ekonomist e dinë se kur mungojnë 1 miliardë euro në aktivitetin ekonomik po ashtu e dinë se nja 1 miliardë dhe 2 miliardë kanë efekte tjera dytësore dhe tretësore
Kritika ndaj Projekt ligjit për buxhetin ka shfaqur edhe lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haredinaj. Sipas tij, rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 uuro nuk është rritje e as harmonizim por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit 5,1% në këtë vit dhe 2,7% i paraparë në vitin 2024 e argumenton konstatimin tonë.
Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi”.
E sa i përket “investimeve kapitale, të shtuara janë për vetëm 48 milionë Euro. Ato nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasysh se 90% e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023 nuk janë realizuar por barten në vitin Buxhetor 2024.
Mbi 80% e projekteve kapitale të listuara në dokumentin që po e shqyrtojmë sot janë projekte të pa realizuara në tri vitet e fundit e të bartura për vitin 2024. Dështimet në realizimin e projekteve kapitale në vitin 2021 në shumë prej 200 milionë euro, pastaj dështimet në vitin 2022 në rreth 300 milionë euro dhe sipas ecurive të paraqitura në raportin e thesarit për nëntë muajt e këtij viti që gjithsejtë bëjnë mbi 800 milionë uuro praktikisht paraqesin humbjen e plotë të buxhetit paraparë për vitin 2024 për investime kapitale”, u shpreh ai.
/TV Malisheva