“Selamet” e kota të “patriotëve të lodhët”!
As s’e çliruat, as nuk e mbroni ju dot “ndarjen” e Kosovës!
Jusuf BYTYÇI
Janë çue “peshë” do “analistë, opinionistë” pseudo analistë, profesorë “atdhetarë e patriota”, jo vetëm në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, edhe në Diasporën e largët, madje edhe në Amerikë! Pak si tepër “po brengosen” për gjendjen aktuale në Republikën e Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë, për pretendimet e shumicës së partive politike për formimin e Qeverisë së re, për dekretimin e profesor Avdullah Hotit nga Presidenti Thaçi për kryeministër, për LDK-në, për kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, etj.
Në opinione, “analizat” dhe fallet e tyre, shumica ia fusin kot, qoftë me akuza e vlerësime absurde për vendimin e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që votuan mocionin e mosbesimit të Qeverisë, qoftë për “sukseset famoze” të kësaj gjysmë qeverie, për dialogun, për “rrezikun e ndarjes” që po i kanoset Kosovës, nga “marrëveshjet sekrete”, Vuçiq-Thaçi, për emisarin special të SHBA-ve, Grenellin, si “dashamir” i ndarjes dhe pro LDK-së, për kryeministrin e ri, si “argat” të presidentit Thaçi, e i “gatshëm” për marrëveshje, shkëmbim të territoreve etj. Pak si zor po i japin këta analistë, pseudo analistë, opinionistë e profesorë të njohur dhe anonimusë, analizave të tyre bajate dhe me fall për shumë çështje. Po shprehin “shqetësimin serioz” veçmas për LDK-në, që “pa Vjosën, mund të bie poshtë nën prag” nëse shkohet në zgjedhje!
Analistët, opinionistët, pseudo analistët, profesorët, pseudopatriotë, “atdhetarë”, emrat e të cilëve janë të pranishëm me fallet e tyre në portale të ndryshme, përmes akuzave tashmë bajate ndaj kreut të LDK-së, po e “mbrojnë” kryekuvendaren Vjosa Osmani-Sadriu, si nënkryetare të LDK-së, për mendimet, vendimet dhe veprimet skajshmërisht në kundërshtim me vendimet e Partisë. Po e “mbrojnë” Vjosën dhe deputetët përkrahës të saj e kundër mocionistë! Ndonëse të gjithë e dinë se vetëm në LDK, lejohet jo vetëm mendimi ndryshe, por tolerohet me vite edhe votimi e vendimi ndryshe, analistët, banalistët e profesorët, kryesisht jashtë Kosovës, atakojnë vazhdimisht dhe fyejnë e linçojnë paturpësisht kreun e LDK-së, edhe nënkryetarët, personalitetet e njohura, që kanë kontribut 30 vjeçar në LDK! Një profesor nga Maqedonia, në opinionin e tij, me “shqetësim”, ironizon se, “sa lejohet mendimi ndryshe brenda LDK, më së miri kuptohet me anë të sulmeve të njëpasnjëshme e të vazhdueshme të funksionarëve të LDK-së ndaj bashkëpartiakes Vjosa Osmanit”! Sipas S. Mehazit, zotërinjtë e LDK-së jo vetëm se e kritikojnë e sulmojnë, por edhe duan ta largojnë e shkarkojnë nga LDK, për shkak se Vjosa Osmani mendon ndryshe prej Isa Mustafës, Hazirit e Veliut”! Kot “brengoseni” ju analistë “dashamirë” të LDK-së. Nuk jeni ju as dashamirë, as shpëtimtarë të “shkatërrimit” të kësaj partie që ka traditë, ka emër, ka kontribut. LDK, me përvojë në sfida të rënda, ka edhe sot shumë anëtarë dhe aktivistë, që janë më të rëndësishëm se sa një apo disa personalitete hileqare, që në fakt “hanë drithin e shpisë, por vojnë në oborrin e kojshisë”!
Pos Mehazit, edhe të tjerë “analistë e psedoanalistë “, duke e glorifikuar figurën e kryeministrit në detyrë, A. Kurti, parreshtur akuzojnë krerët e subjekteve tjera politike, edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për kinse gatishmërinë e tij për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë! Për habi, disa analistë, psedoanalistë, profesorë, edhe profesorë universitarë nga Shqipëria, shprehin hapur dyshime edhe në angazhimet dhe qëndrimet zyrtare të Administratës aktuale Amerikane! Ndërsa për rrezikun eventual për këtë çështje, publicisti i njohur nga Shqipëria, Rexhep Shahu, për dallim nga disa “frikacakë” të kinse marrëveshjes sekrete, mes presidentëve të Kosovës e atij të Serbisë, thotë bindshëm se asnjë individ në Kosovë nuk mund të bëjë shkëmbim territoresh”! Amerika tashmë e ka caktuar emisarin special për bisedime dhe ajo e udhëheq dialogun. Amerika ka tagrin, autoritetin e fuqinë morale, politike e ushtarake që nuk e ka askush tjetër në botë për Kosovën, thotë Shahu. Amerika, nuk e shpërblen Serbinë me territore të Kosovës dhe se nuk ka asnjë lloj individi që mund të vendosë i vetëm për Kosovën, as Thaçi e as Albini, spikat publicisti i njohur Rexhep Shahu. Nuk ka ende asnjë lloj mbreti apo individi që të mund të vendosë i vetëm për Kosovën. Për çdo gjë do të vendosë Kuvendi i Republikëssë Kosovës, shprehet bindshëm Shahu. Në fakt, analizat, pseudoanalizat, vlerësimet apo “shqetësimet” e goxha “patriotëve”, për ndarjen e Kosovës, edhe për “shuarjen” e LDK-së, janë thjeshtë “selame” të kota të “patriotëve të lodhët”! Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ka lënë pasues, të cilët edhe janë dëshmuar për përballimin dhe tejkalimin me sukses të sfidave! Mos u brengosni për fatin e LDK-së, se as nuk ishit pjesë e këtij subjekti, nuk guxuat të ishit, sepse në fillim ishte goxha zor! Mos i jepni vetit siklet ju analistë e opinionistë, apo pseudo analistë, ju, as s’e çliruat, as nuk e mbroni dot “ndarjen” e Kosovës! Dihen luftëtarët, trimat, atdhetarët, veprimtarët, aktivistët, dihen qartë edhe personalitetet vizionare për Lirinë, Pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, dhe të ardhmes së saj! Amerika e shenjtë, miqësia e përjetshme me ketë Shtet më të fuqishëm në Botë, do të vazhdojë. Amerika, miku i mirë i ditëve të vështura, është dhe do të mbetet përherë përkrah nesh si popull, ka dëshmuar se e do popullin e Kosovës, e do edhe rrugëtimin e saj Euro Atlantik! Shqiptarët, shumica absolute, ngado që janë, janë përherë mirënjohës për ndihmën e Amerikës! E individët destruktiv, që dyshojnë në Amerikën, janë të pakët, janë edhe të parëndësishëm, të paktën për vendime!

Share.