Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj ka zhvilluar një vizitë në Vatikan.
Vizita u mbajt në kuadër të muajit shtator, i cili shënon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, 5 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, si dhe 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë.
“Këto ngjarje nuk kanë thjesht një vlerë simbolike: ato paraqesin një moment të rëndësishëm për të kujtuar trashëgiminë e veçantë dhe shembullin e pakrahasueshëm botërisht të shqiptarëve për bashkëjetesën fetare, harmoninë religjioze dhe dialogun e hapur e gjithëpërfshirës në përgjithësi,” -u shpreh Cakaj.
Ndërkohë Cakaj theksoi se Shqipëria angazhohet aktivisht për njohjen e Kosovës nga Vatikani.
“Shqipëria angazhohet aktivisht për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë,”-tha Cakaj.