Duke qenë një pjesë spikatëse dhe zemra e Epirit shqiptar, do të ishte e tepërt të rreshtonim argumenta të pafund për qenësinë shqiptare të Çamërisë në rrjedhat historike, në përcaktimet politike ndër shekuj, në funksionimin administrativ, apo edhe në veçoritë etnografike e mbizotërimin absolut demografik të shqiptarëve në të.
Në fund të fundit, deri një shekull më parë Çamëria nuk përbënte ndonjë lloj precedenti në lidhje me identitetin apo përkatësinë politike ngaqë ishte thjesht një pjesë integrale e trungut natyror të kombit e territorit shqiptar. Emërtesa e saj, si koncept gjeografik krahinor (që vjen, duhet thënë, prej kohësh të hershme historike) nuk kishte ndonjë ngarkesë të ndryshme prej asaj të krahinave e trevave të tjera shqiptare, përveçse ngjyrimeve dhe karakteristikave lokale që, ashtu si dhe të tjerat, pasuronin dhe ushqenin tërësinë kombëtare shqiptare.
Por më pak se një shekull më parë, ky koncept gjeografik mori të tjera ngarkesa, u kthye në një precedent problematik, dhe në vetëdijen e shqiptarëve nguliti imazhin e realitetit shqiptar të dhunuar tragjikisht, përfytyrimin deri dhe në mitizim të kalvarit fatkeq të qenësisë kombëtare shqiptare. Ashtu si Kosova, vise të Malit të Zi, të Shqipërisë lindore e juglindore, Sanxhakut, pjesëve të tjera të Epirit, edhe Çamëria iu nënshtrua një procesi gjymtimi dhe tjetërsimi të përkatësisë shtetërore e kombëtare, si pasojë e politikave dhe rrethanave historike që u aplikuan në territoret e Gadishullit në dekadën e dytë të shekullit të njëzet.
Që asokohe e më pas, territoret e Çamërisë iu aneksuan mbretërisë hibride greke ndërsa popullsia iu nënshtrua goditjeve të përdhunshme e të përgjakshme që synonin tjetërsimin, asimilimin, asgjësimin e identitetit të spikatur shqiptar të kësaj treve. Kjo mbas kalimit nën juridiksionin e shtetit grek, që duhet thënë se u arrit jo për ndonjë meritë apo fuqi të vetë grekëve, por në sajë dhe për hir të politikave të fuqive të mëdha në vitin 1913 e më tej.
Një pjesë e kësaj popullsie (kryesisht e besimit mysliman, që ishte dhe më e spikatura në përballje me grekët) nëpërmjet manipulimesh politike e diplomatike u konsideruan si turq dhe si kontingjent shkëmbimi popullsie midis Turqisë dhe Greqisë në fillim të viteve njëzet. Një pjesë tjetër iu nënshtrua vrasjeve, dëbimeve e veprimeve të tjera represive, ndërsa kontingjenti i besimit ortodoks (gjithmonë shqiptar), nëpërmjet formash të ndryshme, u paraqit si popullsi greke. Paralelisht me këto masa që merrte shteti grek për tjetërsimin e përdhuntë të një krahine të tërë shqiptare, ushtronte presion në të njëjtën kohë mbi shtetin e cunguar e të dobët shqiptar për “Vorioepirin”, pjesën që nuk arriti ta përvetësonte prej pazarllëqeve të fuqive të mëdha të viteve 1913 dhe 1919. Mekanizmi ishte tepër diabolik.
U shfrytëzua prej grekëve pikërisht ajo dispozitë që ishte formuluar në Konferencën e ambasadorëve në Londër për të ngushëlluar disi shqiptarët për cungimin e trojeve të tyre, domethënë dispozita mbi “njohjen e të drejtave të minoriteteve” që orientohej në njohjen e përdorimit të lirë të gjuhës amtare në shkolla, botime në këtë gjuhë dhe disa elementë të rëndësisë dytësore për popullsitë shqiptare që mbetën arbitrarisht brenda kufijsh të shteteve të tjerë si Greqia dhe Serbia. Kjo dispozitë u kundërshtua dhe u injorua prej këtyre shteteve, ndërkohë që më pas u rimor për t’u shfrytëzuar përkundër vetë shtetit politik shqiptar. Greqia, fillimisht për të mos i lënë kohë të kujtohej dhe të angazhohej për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të pjesës së mbetur nën juridiksionin grek, përdori elementin migrator grekfolës në rrethinat e Gjirokastrës e Sarandës për formulimin e njohur tashmë të “Vorioepirit”, duke e trajtuar si një “minoritet” brenda shtetit shqiptar. Më pas, ngaqë ky mekanizëm spekulativ u pranua nga pala shqiptare, mori trajtën e një precedenti të rrezikshëm separatist që paraqitet si një rrezik eminent në ditët e sotme. Pra, realiteti dhe identiteti i Çamërisë u asfiksua në marrëdhëniet me dy shteteve dhe, në plan të parë e në mënyrë të njëanshme, doli problemi fals i “minoritetit grek” brenda shtetit politik shqiptar.
Një zhvillim i ri i dhimbshëm vjen më tej pas Luftës së Dytë Botërore, dëbimi masiv i çamëve për në shtetin shqiptar, në një proces gjenocidal spastrimi etnik. Argumentimi absurd i bashkëpunimit me gjermanët sot e kësaj dite gëlltitet si një element i pranueshëm në tavolinat e bisedimeve politike e diplomatike. Ndërsa argumenti real i përkatësisë shqiptare të Çamërisë, dhe minimalisht qoftë dhe të drejtat njerëzore të popullsisë së dëbuar prej andej, ngjallin vetëm xhindosjen e përfaqësuesve grekë të cilët nuk e pranojnë as të shtrohet në ato tavolina bisedimesh. Në kohën e dëbimit, “merita” e vetme e Shqipërisë ishte hapja e dyerve për vëllezërit e vet çamë të keqtrajtuar. Me largimin e pjesës që nuk mund të justifikohej me mekanizmat diversivë të politikës greke, pra pjesës myslimane të popullsisë çame, për shtetin grek Çamëria u bë një kapitull i mbyllur, ndërkohë që shqiptarët ortodoksë të atjeshëm iu nënshtruan një procesi asimilimi e tjetërsimi të dhunshëm duke u detyruar të futen në suazën e helenizimit.
Mbas vitit 1990 pak, (ose me thënë të drejtën, aspak) është bërë në këtë drejtim. Çamëria është një identitet që tremb politikën shqiptare dhe tërbon politikën greke. Me një orientim agresiv e diversiv shteti grek ka arritur të eklipsojë pothuaj tërësisht këtë çështje në marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që, në kahun tjetër, e ka ngritur në stadin më të lartë të mundshëm precedentin fals të “Vorioepirit” duke e shtrirë më tej dhe duke avancuar, dora-dorës që politika e shtetit shqiptar ka kaluar nga pasiviteti apo qëndrimi defensiv në një situatë vasaliteti karshi palës greke. Sado të vëllimshme dhe trumbetuese të jenë orvatjet e politikës shqiptare për të paraqitur këtë situatë nën një klimë “miqësore”, “partneriteti”, “bashkëpunimi”, realiteti i dhimbshëm është se mes dy shteteve janë krijuar marrëdhënie kryekëput të zhdrejta, të përafrueshme me situatën kolonizuese. Dhe në këtë hulli me të vërtetë që çështja e Çamërisë (që në vetvete përbën një realitet dhe identitet që duhet të përbëjë refrenin parësor në marrëdhëniet dypalëshe) duket si një kapitull i pakuptimtë dhe i “padenjë” për të zënë vend në agjendën e bisedimeve.
Ndërkohë, kjo çështje është reduktuar në çështje shoqatash të pafuqi dhe në çështje kërkesash pronësore (padyshim të drejta). Krijohet imazhi që Çamëria është një çështje që u përket vetëm çamëve, pasi edhe ato protesta që zhvillohen, ato promemorie që hartohen, ato hapësira mediatike të pakta që plotësohen me këtë problematikë, më së shumti kanë përkatësinë e individëve apo grupeve të vogla të popullsisë së çamëve të dëbuar me forcë këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, e jo dhe suportin politik të domosdoshëm. Por, Çamëria nuk është vetëm e çamëve. Si pronë dhe si përkatësi krahinore po, por si identitet dhe si realitet i tërësisë shqiptare ajo iu përket edhe kosovarëve, dukagjinasve, kelmendasve, tiranasve, shkupjanëve, korçarëve, lebërve etj. Reduktimi në thjeshtë çështje individuale apo edhe kolektive të së drejtës pronësore, e kthen këtë çështje realisht në një vlerë kombëtare të eklipsuar përfundimisht.
Nëse shteti grek, me diabolizmin e tij, një ditë të bukur mund të pranonte të kompensonte pronarët çamë të sekuestruar dhe të shpronësuar disa dekada më parë me disa shuma të konsiderueshme parash, çfarë do të mbeste më tej nga ky identitet? Në fund të fundit, logjika e kompensimit të pronave dhe jo kthimi në natyrë, a nuk është në fuqi edhe në vetë shtetin shqiptar ndaj pronarëve të dikurshëm? Dhe pas këtij procesi të mundshëm, a nuk do të fshihej plotësisht çështja kombëtare shqiptare në këtë trevë?
Një shtrim eventual i problemit të Çamërisë në veprimtarinë politike e diplomatike të shtetit shqiptar, duhet të lëvizte në parametra të tjerë, dhe jo thjeshtë si e drejtë pronësore e një grupimi popullsie. Ajo duhet të paraqitej me përmasat e të drejtës kombëtare, e të drejtës së njohjes së realitetit shqiptar brenda kufijve të shtetit grek, qoftë dhe në kuadrin e minoritetit. Kthimi i çamëve të këtushëm në trojet e tyre, jo vetëm si pronarë pasurish materiale, por edhe si pronarë të patjetërsueshëm të së drejtës kombëtare mbi atë trevë, do të ishte edhe elementi fillestar i një tavoline të pritshme bisedimesh dypalëshe. Kjo padyshim do të nxirrte vetvetiu jashtë loje në mënyrë të menjëhershme kështjellën prej kartoni të Vorioepirit, nga bedenat e së cilës luan politika greke. Një ofensivë e lehtë e politikës shqiptare në këtë drejtim do të përmbyste qëndrimet padyshim, dhe do të detyronte palën greke të kalonte në defensivë.
Çamëria apo perëndimi i Epirit, realitet i pakontestueshëm shqiptar, nëse do të konsiderohej si një nga shtyllat kryesore të politikës dhe strategjisë së shtetit shqiptar, sigurisht që raportet në marrëdhëniet shqiptaro-greke do të ndryshonin në mënyrë të rrënjësishme. Politikat e helenizimit të jugut shqiptar, politika të deklaruara prej liderësh grekë dhe të aplikuara në praktikë, do të mënjanoheshin për t’u lënë vend politikave më realiste dhe me një frymë tërheqjeje përballë faktorit shqiptar. Çamëria nuk përbën kurrsesi për shtetin dhe çështjen shqiptare një kapitull të mbyllur përfundimisht, ajo është dhe do të jetë një prej pjesëve të realitetit shqiptar në Gadishull. Identiteti i Çamërisë do të rrijë si shpata e Demokleut mbi kryet e politikës shqiptare derisa ajo të kthejë në “rrugë të mbarë” e ta konsiderojë si një detyrim dhe të drejtë së cilës duhet t’i japë zgjidhje, apo së paku ta shtrojë për zgjidhje. Çamëria, ashtu si i gjithë Epiri, e për rrjedhojë edhe Vorioepiri, janë një realitet shqiptar, dhe si të tillë duhet të trajtohen nga të gjithë. Modalitetet e zgjidhjes së problemit janë pastaj vetëm çështje procesesh politike e diplomatike. /TV Malisheva