Tribunali i Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka publikuar arsyet e vendimit për të lënë në fuqi përjashtimin e ekipeve dhe kombëtares ruse nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s.

Gjykata më e lartë për zgjidhjen e çështjeve sportive ishte shpresa e fundit për Rusinë, për të arritur në Kupën e Botës, Katar 2022.

Por, prania e Rusisë në Kupën e Botës, sipas CAS-it, “rrezikonte të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe kaotike në kompeticion”.

Edhe sikur Rusia të pranohej nga CAS për të luajtur në play-off dhe nëse kualifikohej në grupet e Katar 2022, shumë kombëtare të tjera do ta kishin bojkotuar turneun.

“Nëse kombëtarja ruse do të ishte lejuar të luante, kundërshtarët e tyre do ta kishin humbur ndeshjen pa luajtur. Integriteti i garave të FIFA-s do të ishte dëmtuar rëndë”, tha Corinne Schmidhauser, anëtare e bordit të CAS-it.

“Në dritën e indinjatës dhe dënimit mbarëbotëror të shkaktuar nga ngjarjet në Ukrainë, siguria e lojtarëve dhe zyrtarëve do të ishte e vështirë të garantohej edhe nëse Rusia do të kishte luajtur në një vend neutral”, vijoi të thoshte ajo.

/TV Malisheva

Share.