Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku ka folur për krizën energjetike që ka kapluar Kosovën dhe rajonin. Ai i ka kërkuar opozitës aktuale dhe Qeverisë së Kosovës që të ndajnë deklaratat politike nga çështjet me energjinë.
“Çështja e energjisë është çështje e sigurisë shtetërore, nuk është PlayStation. Pra shteti që ka probleme me energjinë elektrike, ka telashe me sigurinë e vet. Kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, duhet ikur nga deklaratat politike, njëjtë edhe opozita duhet vepruar. Pra deklaratat politike duhet të ikin nga fusha e energjisë, kjo sepse ti nuk e din kur do të bie blloku i Kosovës A. Thjesht nuk e din, është bllok i viteve të 60-ta, njejt sikur një veturë e vitit 1960 me të cilën ti po do me një shpejtësi të madhe me u nis nga Peja në Prishtinë dhe në çdo moment ajo të lenë, kur? Ti nuk mund ta dish”, tha ish-ministri Çeku në “Radio 1”.
Çeku ka folur për projektin Kosova C duke thënë se me të nuk do të kishte energji elektrike sot.
“Nëse do vazhdonte projekti jonë për Kosovën C, sot nuk do bëhej fjalë për krizë. Ja pse? 11 miliardë tonë linjit i ka Kosova. Kjo është arma jote. Në vitet që po flasim BE e lejonte përdorimin e linjitit, ishim në rrethana krejt tjera nga sot dhe ti si Kosovë kishe siguruar investitorët më serioz global. Sot me Kosovën C edhe do kishe energji për vete, edhe për ta shitur në shtetet tjera e edhe kur do të uleshe në tryezë me Serbinë sot, kryeministri Kurti energjinë do ta kishte bankomat për negociata” tha ai.
Çeku ka thënë se Kurti duhet të ulet me të gjitha palët dhe të gjejë një zgjidhje, pasi subvencionimi nuk e zgjidh problemin.
“E them prap, kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, mendoj se duhet të ofrohet me të gjitha palët, opozita të ndalet dhe paralelisht e me urgjencë në angazhojë ekspertizë ndërkombëtare të gjendjes së blloqeve. Me këtë, ne kuptojmë se cilat blloqe duhet mbyllur, cilat ja vlejnë remont dhe eventualisht ndonjë të ndërtojmë nga fillimi. Kjo e zgjidhë problemin, jo subvencionimi. Matematikat tjera, janë ëndrra pa kripë. Mos harroni tani duke ardhur nga Prishtina në Pejë, e pashë Goleshin. nuk ka erë, frymë, pra ti nuk mund të prodhosh e as të mendosh të investosh diçka ashtu si Kosovë. Hajde flasim për Hidrocentralet, po lëreni, miq, njerëz, Kosova sikur krejt bota po shkon nga periudhat e vuajtjes për ujë të pijes. Pra, hiqe nga rendi i ditës edhe këtë gjë. Kthehu nga ajo çfarë ke dhe ik nga politika. shikoni, me siguri shtetërore nuk bëhet politikë”, tha Çeku në “Radio 1”./TV Malisheva