Në një intervistë me gazetarët rusë, presidenti ukrainas Zelensky tha se Ukraina është gati për të diskutuar me Rusinë mundësinë e statusit neutral, me kusht që luftimet të ndalojnë.
Në pamje të parë, tingëllon si përparim në rrugën drejt paqes, por çfarë nënkupton statusi neutral i Ukrainës?
Statusi neutral do të bënte që Ukrainës t’i ndalohej ndërhyrja në konfliktet ushtarake të shteteve të tjera. Ndërsa çdo komb evropian ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim në NATO, Rusia ka kërkuar të shkëpusë Ukrainën nga synimi i saj për t’u bashkuar me këtë aleancë.
Vendet anëtare, megjithatë, kanë thënë se anëtarësimi i Ukrainës është një opsion i largët, edhe në rastin më të mirë. Duhet të theksohet se NATO do të angazhohej për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër çdo sulmi të ardhshëm, nëse do të ishte vend anëtar.
Në fillim të këtij muaji, Kremlini deklaroi se Suedia dhe Austria janë modele neutraliteti që Ukraina mund t’i ndiqte,– një sugjerim që Kievi fillimisht e refuzoi.
Nëse Ukraina miraton statusin neutral, atëherë heq dorë nga ambicia e saj për t’iu bashkuar NATO-s.
Mos anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një nga kërkesat e paplotësuara të Rusisë, që e çuan drejt luftës.
Por sa garanci ka që marrëveshja të funksionojë?
Së pari, Zelensky e bëri të qartë në intervistë se në mënyrë që një marrëveshje të funksionojë, vendet perëndimore duhet që në mbështetje të Ukrainës, të angazhohen që “marrëveshja të jetë serioze”.
Së dyti, Zelensky thotë se Rusia do të duhet të tërhiqet nga pozicionet që ka mbajtur para sulmit të 24 shkurtit. Rusia ka luftuar shumë për të fituar terren në Ukrainë, dhe është e vështirë të pajtohet me këtë, veçanërisht në jug dhe në lindje.
Së treti, nëse Ukraina do ta miratoje neutralitetin, Zelensky thotë se do të duhet të ketë referendum dhe ndryshime kushtetuese, të cilat mund të zgjasin deri në një vit.
A do të pranonte vërtet Putini ta ndalonte luftën, nëse populli ukrainas mund të refuzonte më pas lëshimet e propozuara nga Zelensky?
Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, është pyetja pa përgjigje se çfarë dëshiron në të vërtetë Rusia nga kjo luftë.
A bëhet fjalë për sigurinë dhe ambiciet e Ukrainës për t’u futur në NATO-s, siç u pretendua fillimisht? A bëhet fjalë për më shumë territor në Ukrainën lindore? Apo, Putini është i vendosur për ta bërë të pamundur për Ukrainën që të funksionojë si një komb i pavarur sovran?
/TV Malisheva