Për Fitim Lladrovcin, ish-pjesëtar i ISIS’it, ka rrëfime të shumta që përshkruajnë historitë e tij radikale. Ai u kthye në Kosovë pasi do të fitonte 11 mijë dollarë sepse po sillte me vete një fëmijë kosovar. Plus që, besonte se shteti do ta falte për pjesëmarrje në luftë. Ai vazhdoi të bënte thirrje për xhihad nga edhe kur u kthye. Në Prokurori tregojnë se ai tash është nën masën e arrestit shtëpiak. Lladrovci që pendimin e vetëm e ka pse u kthye nga Siria, do të jetë krejtësisht i lirë pas një muaji.

Lladrovci që jeton në Obiliq, ka shkuar në Siri në vitin 2013, më pas është kthyer bashkë me një djalë kosovar të vogël, të cilin e ka sjellë te nëna e tij. Në vitin 2015, policia e Kosovës ia rrethoi shtëpinë dhe e arrestoi atë.

Ish-pjesëtari i al-Nusras, më pas i ISIS’it edhe pasi doli nga burgu në maj të 2018’ës vazhdoi të kërcënonte për sulme në emër të ISIS’it në Kosovë.

Këtë e ka përsëritur edhe kur ai dha intervistë për një gazetar të huaj, e cila u publikua ditëve të fundit në të përjavshmen britanike “The Economist”.

Lladrovci është arrestuar në prill të këtij viti dhe Gazeta Express mëson se ai tash është në arrest shtëpiak, që do t’i zgjasë deri më 19 shtator 2019.

Ai është prej luftëtarëve të ISIS’it, që edhe pse u kthye në Kosovë, nuk është i penduar për pjesëmarrjen në organizatën terroriste. Madje thotë se po të kishte mundësi, ‘nesër do të rikthehej në frontin e luftës në Siri’.

“Po bëhemi më të fuqishëm dhe më të mençur”, kishte thënë Lladrovci një vjet më parë në Kosovë, duke paralajmëruar sulme.

Historia e kthimit të Lladrovcit lidhet me një fëmijë kosovar, për të cilin luftëtari i ISIS’it besonte se do të ishte mburoja e tij.

Fitim Lladrovci ishte i vetmi që kishte pranuar që të kthente Erionin 8-vjeçar nga Kosova, të cilin e kishte marrë babai i tij në Siri dhe familja po e kërkonte.

Lladrovci e dinte se ligji i Kosovës ia premtonte burgim secilit që merr pjesë në lufta të huaja prandaj po e sillte Erionin, duke besuar se institucionet në Kosovë do ta falnin.

Fatos Makolli, i cili ishte pjesë e drejtorisë Antiterror kur Lladrovci është kthyer, thotë se luftëtarit nuk i kanë premtuar autoritetet kosovare se do ta falnin në qoftë se e kthen Erionin.

“Do të kishte vetëm një lehtësim në gjykatë për shkak të veprimit të tij, por në asnjë mënyrë s’do të falej”, ka thënë Makolli për Gazetën Express.

Gjatë kohës kur ishte në burg, Lladrovci ka thënë se e kanë vizituar shumë zyrtarë të shtetit për të marrë informata nga ai.

Siç e citon The Economist, ish-pjesëtari i ISIS’it i kishte thënë një diplomati se djali i tij ‘një ditë do jetë një kamikaz i shkëlqyeshëm’.

Edhe pas disa muajve ai ishte pyetur nëse kishte ndonjë pendesë. “Kalifati nuk ka përfunduar akoma”, kishte thënë Lladrovci

Share.