Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e së enjtes të drejtuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, kishte në rend dite edhe dy debate parlamentare: për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris, si dhe për të drejtat e pensionistëve kontribut-dhënës.

Pas ezaurimit të kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, seanca vijoi me debati për situatën financiare të Telekomit të Kosovës.

Në emër të propozuesit, deputetja nga radhët e GP të VV-së, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Arbërie Nagavci, bëri një ekspoze të gjatë të proceseve që kanë ndodhur në vazhdimësi në Telekomin e Kosovës. Nagavci theksoi se vazhdimisht janë kryer veprime të qëllimshme që, sipas saj, konsiderohen veprime kriminale të mirë organizuara, për ta sjellë Telekomin në këtë gjendje.

Ajo tha se që nga viti 2009 ka elemente te mjaftueshme të veprimtarisë kriminale ndaj Telekomit. Në fund të arsyetimit, deputetja Nagavci paraqiti një propozim-rezolutë prej gjashtë pikësh, duke kërkuar që qeveria të ndërmarrë veprime të shpejta në mbrojtje të Telekomit.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-s, deputeti Rexhep Selimi, në mbështetje të plotë të parashtrueses, theksoi se janë kryer veprime vërtet kriminale ndaj Telekomit. Duke e konsideruar Telekomin si ndërmarrje me rëndësi nacionale për Kosovën dhe duke folur për, siç tha, abuzimet e vazhdueshme kriminale që janë kryer ndaj saj, Selimi shtoi se të gjithë përgjegjësit duhet të hetohen dhe të dalin përpara drejtësisë.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetja Doruntinë Maloku tha se përkeqësimi i gjendjes në Telekom ka filluar vite më herët dhe ka kulmuar ditë më parë me bllokimin e xhirollogarive nga përmbaruesi privat në favor të operatorit Z-Mobile, duke rrezikuar mirëqenien e mijëra familjeve kosovare dhe sigurinë e shtetit.

Ajo i bëri thirrje qeverisë të mos bëjë emërime të përkohshme të anëtarëve të Bordit të Telekomit, por të nxjerr procedura të rregullta për funksionalizmin e tij.

Deputeti Ferat Shala, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se Telekomi është futur në një labirinth kaotik, andaj, sipas tij, duhet një punë e madhe dhe e shpejtë nga qeveria dhe organet e drejtësisë, pasi, siç tha ai, veprimet juridike janë të përziera me probleme të mëdha ekonomike dhe teknologjike të Telekomit. Shala tha se qeveria i ka të gjitha levat dhe mundësitë për ta nxjerrë Telekomin nga kjo gjendje.

Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, fjalën e mori deputeti Pal Lekaj, i cili ndër të tjera theksoi se kjo ndërmarrje me profit rreth 400 milionë euro deri në vitin 2015, të përfundojë në këtë gjendje aktuale. Sipas tij, qeveria duhet të veprojë me një strategji të shpejtë për ta shpëtuar këtë ndërmarrje me vlera kombëtare nga falimentimi.

Në fjalën e tij ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ndër të tjera tha se gjithçka çfarë ka ndodhur në Telekom ka një histori të gjatë dhe se prej kohësh, sipas tij, i gjithë sistemi qeveritar ka ndikuar në përkeqësimin e kësaj situate.

“Sot qeveria është gjendur përball aktit të kryer. Edhe bordi i Telekomit është dorëhequr”, theksoi ministri Kuçi.

Më tej ai kërkoi që në Kuvend të krijohet një komision hetimor parlamentar për Telekomin.

“Ne jemi gjendur para aktit të kryer. Jam në dijeni për hetimin parlamentar, mirëpo në përfundim të legjislaturës edhe ai komision ka marrë fund. Ju lus që ta aktivizoni një komision hetues për ta vazhduar punën. Tash jemi në një situatë kur duhet të veprojmë menjëherë. Së pari duhet të caktojmë Bordin e ri të Përkohshëm të Telekomit”, theksoi ministri Kuçi.

Ai bëri të ditur se janë shqyrtuar një varg alternativash për të zgjidhur këtë çështje, si arritja e një marrëveshjeje për shlyerjen e detyrimit, subvencionimi i Telekomit për të kaluar gjendjen ekzistuese, dhënia e një kredie për Telekomin për të kryer borxhin, huazimi i mjeteve nga Qeveria në llogari të Telekomit, mjete këto të cilat duhet të kthehen në Qeveri në një periudhë që caktohet më pas, t’i jepet kredi afatgjate Telekomit në kuadër të masave të Pandemisë, si dhe mundësia e privatizimit të pjesshëm të Telekomit.

Debati vijoi për disa orë me diskutime të deputetëve nga grupe të ndryshme parlamentare, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për situatën në të cilën ndodhet kjo ndërmarrje dhe njëherësh dhanë propozime për tejkalimin e saj./Tv Malisheva

Share.