Ish-mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, pranon se finalja e mbrëmshme e Kupës MLS mund të jetë ndeshja e tij e fundit si futbollist profesionist.
Los Angeles nuk arriti të ruante titullin vendas pasi pësoi humbje në finale të Kupës MLS kundër Columbus Crew të shtunën mbrëmë.
Chiellini foli në një konferencë për shtyp pas ndeshjes dhe pranoi se tani mund të vendosë të tërhiqet nga futbolli.
“Ishte një udhëtim i bukur; e thashë dje që për fat të keq njëra nga dy skuadrat duhej të humbiste. Rreth meje…mund të jetë ndeshja ime e fundit. Isha shumë i fokusuar në të. Tani më duhet të kënaqem me familjen, të kthehem në Itali dhe më pas të marr një vendim përfundimtar. Unë nuk dua të vendos diçka dhe më pas të ndryshoj [mendjen time],” tha ai.
Chiellini iu bashkua LAFC në verën e vitit 2022 pas përfundimit të kontratës së tij me Juventusin.
Mbrojtësi legjendar italian kishte kaluar 18 vite në Torino duke shënuar 36 gola në 561 paraqitje me “Zonjën e Vjetër”.
Ai ka qenë një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e Juventusit, duke fituar nëntë tituj radhazi të Serie A, një titull në Serie B, pesë Coppa Italia dhe pesë Superkupa.
Ai fitoi titullin e MLS sezonin e kaluar, në sezonin e tij të parë në LAFC.
Chiellini ka zbuluar së fundmi se mund të kthehet në Juventus në të ardhmen, por gjatë konferencës së tij të fundit për shtyp pas ndeshjes, ai shtoi se do të donte të mbetej afër me MLS.
“Ka qenë një rrugëtim i bukur që nga fillimi. Për të qenë i sinqertë, kam pasur shumë ëndrra dhe kam kuptuar se ka qenë shumë më mirë se sa kisha ëndërruar për mua dhe familjen time. Unë u thashë shokëve të mi: ‘Kam frikë se kam ardhur shumë vonë’ sepse ka një hendek të madh nga këtu në Evropë. Para së gjithash, ekonomikisht, për momentin, është e pamundur të arrish [në MLS] më herët, por në të njëjtën kohë, po përmirësohet shpejt”, deklaroi ish- reprezentuesi i Italisë.
“Jam shumë i lumtur që këtu gjërat mund të ndryshojnë vit pas viti dhe nuk duhet të presim dekada si në Itali, është një organizim i lehtë që mund të ngrihet shumë shpejt. Ju kam thënë shumë herë për marrëveshjen e Messit që mund të jetë një nxitje për ligën. Nuk ka të bëjë vetëm me Messin, duhet të gjejmë një ekuilibër, por komisioneri është i fokusuar tek e ardhmja dhe mund të sjellë ide strategjike. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj lige. Shpresoj se mund t’i qëndroj pranë në të ardhmen, në shumë mënyra. Nga këtu apo nga Europa, nuk e di. Shpresoj që të mund ta ndihmoj këtë ligë dhe këtë organizatë që të vazhdojnë të zhvillohen”, deklaroi Chiellini.
/TV Malisheva