Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë bërë thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri.

Në një tekst autorial të publikuar në “Kossev”, ata thonë se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural si dhe zhvillimi ekonomik.

Ata thonë se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.

“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin e tyre autorial.

Chollet dhe Escobar kanë treguar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk do të jetë mono-etnike. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”, kanë shkruar Chollet dhe Escobar.

Si do të dukej Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Komunat me interesa të përbashkët, gjuhë dhe kulturë do të mund të bashkëpunojnë në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Për shembull, komunat do të mund të hartojnë kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale në disa komuna e të mos veprojnë në vakum dhe duke bërë punë të dyfishtë. Bashkëpunimi i tillë është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 për zotimin për Asociacion dhe parimet e qeverisjes së mirë të ushtruara nëpër vendet tjera në Evropë.

Çka nuk do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare.

Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjeve të Kosovës. Dhe çdo mbështetje dhe ndihmë që Serbia do t’ia ofronte komunitetit serb të Kosovës do të duhej të ishte transparente dhe të shkonte përmes këtyre kanaleve legjitime dhe të lejuara.

Po ashtu, është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen. Anëtarët e Asociacionit do të ishin zyrtarë lokalë tashmë të zgjedhur si përfaqësues të të gjithë banorëve në komunat e tyre.

Ndër shqetësimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte çështja se si të sigurohej që Asociacioni mbetet i hapur për të gjitha etnitë dhe të ishte plotësisht brenda strukturës së kornizës ligjore të Kosovës dhe ajo bëri thirrje që propozimi fillestar të përshtatej e të mos hidhej poshtë, si dhe theksoi obligimin për krijimin e një asociacioni të tillë sipas marrëveshjes së Brukselit.

Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike.

Jemi të gatshëm që ta mbështesim Kosovën për të përmbushur këtë zotim dhe do të qëndrojmë krah vendit tuaj në çdo hap. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë – dhe të rinjve të saj që tash po shikojnë kah vendet e jashtme për mundësi – mund të jetë e ndritur në një Evropë “të tërë, të lirë dhe në paqe”. Krejt çka duhet është që ta shfrytëzojmë këtë moment së bashku.

/TV Malisheva

Share.