Kampioni anglez Manchester City e ka zbuluar sot statujën e ish-sulmuesit të tyre, Sergio Aguero, para stadiumit “Etihad”, në 10 vjetorin e golit të tij kundër skuadrës së QPR, gol ky i cili ia siguroi titullin asokohe Cityt.

Goli i Agueros në minutat e fundit të ndeshjes kompletoi një rikthim 3:2 për Cityn në ditën e fundit të sezonit, vetëm për t’ia rrëmbyer titullin e kampionit nga duart rivalit të tyre, Manchester United, pas plot 44 vitesh në pritje për tu bërë kampion i ligës, përcjellë TV Malisheva.

Statuja e Agueros i bashkohet tani statujave të ish-bashkëlojtarëve të tij, David Silva dhe Vincent Kompany, të cilat gjenden jashtë stadiumit “Etihad”.

“Sinqerisht, kjo është një gjë tejet e bukur për mua, ta shoh vetën time 10 vite më parë është me të vërtetë prekëse. Në këto 10 vite, unë pata mundësinë që të fitoj trofe të shumtë dhe kisha mundësinë që ta ndihmoj klubin që të bëhet ndër më të rëndësishmit në botë”, reflektoi Aguero pas zbulimit të statujës së tij.

“Jam tejet falënderues drejt klubit që e kanë bërë këtë statujë në shenjë falënderimi për karrierën time në Manchester. Është diçka tejet speciale”, shtoi më tej Aguero.

Aguero shënoi plot 257 gola në 384 paraqitje për Cityn, kështu duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të klubit, ku fitoi pesë tituj të Premier Ligës, një FA Cup dhe gjashtë Carabao Cup përgjatë një periudhe 10 vjeçare.

/TV Malisheva

Share.