“Çka ka, çka s’ka nëpër rrugë?!”, është videoja e radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila hedh akuza për hajni në ndërtimin e disa rrugëve në Kosovë.
Në videon e tyre thuhet se “me punë të mbrapshta dhe plane të zhvatjes na kanë bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re tashmë i ka zhbllokuar ato dhe ka filluar punën për t’i përfunduar ato projekte”.
Bëhet fjalë për rrugët dhe akset rrugore Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Gjilan, Prishtinë – Pejë dhe Kievë – Zahaq, të cilat sipas tyre tashmë janë në rrugë të drejtë për t’u jetësuar.
“Vetëm në aksin Kievë-Zahaq të rrugës Prishtinë – Pejë ishte planifikuar një plaçkitje e madhe e buxhetit të vendit. 240 milionë euro do t’i kushtonte Kosovës hajnia në emër të ndërtimit e shpronësimit. Por e parandaluam. Me qeverinë aktuale ky ndërtim e shpronësim nuk do të kushtojë më shumë se 90 milionë euro”, thuhet në videon e partisë në pushtet.
Vetëvendosje ka akuzuar qeveritë e kaluara për borxhe milionëshe të shpronësimeve, derisa “buxheti i gjetur që ka qenë i planifikuar për kthimin e këtij borxhi ka qenë vetëm 2 milionë euro”.
Përmes kësaj videoje, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar LDK-në, PDK-në e AAK-në për keqpërdorime me buxhet për ndërtimin e rrugëve, e duke përmendur disa prej rrugëve që tash e sa vite kanë mbetur të paasfaltuara. /TV Malisheva