Dy senatorë amerikanë të premten qëndruan për vizitë në Kosovë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch për tu njoftuar për së afërmi me situatën pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh më 24 shtator.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, në një konferencë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani tha se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe për këtë tha se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë.

“E dimë që është shumë shqetësuese ngjarja në veri. Është shumë e rëndësishme që përgjegjësit për 24 shtatorin të japin llogari dhe shpresojmë që Serbia do të bashkëpunojë”, tha ajo, gjersa vlerësoi si pozitive rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it.

Më tej, senatorja amerikane tha se derisa i shohim sfidat tjera në Ukrainë, Lindje të Mesme, duhet të kuptohet se konfliktet dhe dhuna nuk janë zgjidhje.

“E rëndësishme që të bëjmë krejt çfarë të mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon për të siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës dhe konfliktit nga ky rajon”, tha senatorja.

“Jemi këtu për të mbështetur Kosovën… Një shtet që SHBA me shumë krenari e ka mbështetur përgjatë viteve… ne i kemi vlerat e njëjta dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah juve”, tha ajo.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen edhe pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media.

Ndërkaq, e para e shtetit, Vjosa Osmani Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me dy senatorët amerikanë kanë biseduar për zhvillimet e fundit në veri.

/TV Malisheva

Share.