Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë në veri të Kosovës gjatë protestave kundër vendosjes së kryebashkiakëve shqiptarë.

Dhuna shpërtheu pasi demonstruesit serbë u përpoqën të bllokonin kryetarët e sapozgjedhur të komunave të merrnin detyrën në qytetin veçrior të Zveçanit të hënën, pas zgjedhjeve të diskutueshme në prill. Teksa kjo lloj dhune kundër paqeruajtësve është e rrallë, tensionet janë rritur në rajon muajt e fundit, të nxitura nga përçarje të thella historike. Ja çfarë duhet të dini.

Cili është sfondi i ngjarjeve?

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-99, në të cilën shqiptarët e Kosovës u përpoqën të shkëputeshin nga ajo që atëherë ishte Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi i sotëm. NATO u fut në luftë për të mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës. Serbia e sheh Kosovën si një pjesë të shkëputur dhe nuk e njeh pavarësinë e saj. Serbët e Kosovës e shohin veten si pjesë e Serbisë dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre, në vend të Prishtinës.

Shumica e serbëve të Kosovës – më pak se 1/10 e popullsisë së përgjithshme – jetojnë në rajonet veriore dhe kanë kërkuar gjithnjë e më shumë autonomi nga shumica etnike shqiptare.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 e ndërmjetësuar nga BE-ja u përpoq të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia mund të krijojë komuna autonome në rajonin verior, por këto do të duhet të funksionojnë sipas sistemit ligjor kosovar, me policinë kosovare që mbetet e vetmja forcë policore. Më shumë se një dekadë më vonë, këto komuna nuk janë krijuar, duke i lënë të acarohen mosmarrëveshjet mbi shkallën e autonomisë për serbët e Kosovës.

Edhe detajet në dukje të vogla mund të shkaktojnë shpërthime të mëdha. Për vite me radhë, Kosova ka dashur që serbët t’i ndërrojnë targat e veturave nga serbe në ato të Prishtinës. Vitin e kaluar, qeveria e Kosovës njoftoi një periudhë 2-mujore në të cilën targat duhej të ndërroheshin, por e shtyu datën pas protestave.

Kryetarët serbë etnikë në komunat veriore, së bashku me gjykatësit vendas dhe rreth 600 oficerë policie, dhanë dorëheqjen në nëntor në shenjë proteste kundër ndryshimit të targave.

Çfarë e shkaktoi dhunën e re?

Në mars, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të re në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke synuar sërish normalizimin e marrëdhënieve. Por kjo u pasua nga zgjedhjet e diskutueshme lokale në 4 komuna të veriut të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje serbëve etnikë në rajon që të bojkotojnë zgjedhjet, duke thënë se ata nuk duhet të tolerojnë më një “pushtim” të huaj.

Lista Serbe, partia kryesore politike në këtë rajon, i bëri thirrje komunitetit serb që të mos votojnë në zgjedhje dhe kandidatëve të mos kandidojnë – duke i lënë të garojnë vetëm kandidatët etnikisht shqiptarë.

Nga frika e dhunës së mundshme, Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës ndryshoi planet për vendosjen e kabinave të votimit në shkollat lokale dhe në vend të kësaj ngriti qendra të lëvizshme të patrulluara nga paqeruajtësit e NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kishte pasur një “fushatë kërcënuese të orkestruar nga Beogradi dhe të ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga grupet kriminale”. Pas mbylljes së qendrave të votimit, zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1 567 persona kishin votuar në të 4 komunat – një pjesëmarrje prej 3.5%, sipas mediave lokale.

Pjesëmarrja e vogël ishte një shenjë e suksesit të bojkotit në këto rajone me shumicë serbe. Komuna e Zveçanit ka rreth 16 800 banorë. Prej tyre, më shumë se 16 000 janë serbë etnikë me vetëm rreth 500 shqiptarë etnikë.

Kryetari i sapozgjedhur shqiptar në Zveçan fitoi me pothuajse 100 vota, duke nxitur thirrje se autoriteti i tij është i paligjshëm.

Çfarë ndodhi të hënën?

Protestuesit etnikë serbë hodhën kokteje molotov mbi trupat e NATO-s (KFOR) dhe përdorën shkopinj për të goditur mburojat e tyre teksa paqeruajtësit mbronin zyrën komunale në Zveçan. KFOR tha se u plagosën 30 prej paqeruajtësve të tij, kryesisht nga kontingjentet e tij italiane dhe hungareze.

Ushtarët pësuan “thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara”, ndërsa 3 ushtarë u “plaguan nga përdorimi i armëve të zjarrit”, sipas KFOR-it.

Misioni paqeruajtës tha se kishte rritur praninë e tij në veri të Kosovës pasi kryebashkiakët e sapozgjedhur etnikisht shqiptarë morën detyrën në zonat me shumicë serbe të Kosovës. Qëllimi i tij është të “zvogëlonte rrezikun e përshkallëzimit”, tha KFOR-i, por trupat “më pas u sulmuan nga turma gjithnjë e më agresive”.

Në një deklaratë, kryeministrja serbe Ana Brnabiç tha se situata në veri të Kosovës “nuk ka qenë kurrë më e vështirë”.

Cili ishte reagimi?

Udhëheqësit evropianë ishin të shpejtë për të dënuar dhunën. Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, tha se ai ka pasur kontakte me Kurtin dhe Vuçiçin dhe u kërkoi “të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për de-përshkallëzuar tensionet menjëherë dhe pa kushte.”

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën në Bruksel, Borrell tha se BE-ja “dënon në termat më të ashpër dhunën në veri të Kosovës e parë në ditët e fundit”.

Ministria e Jashtme e Francës lëshoi një deklaratë ku pretendonte se “është më thelbësore se kurrë që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përgjegjësi duke u kthyer në tryezën e bisedimeve me një qëndrim kompromisi në shërbim të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve serbë dhe kosovarë”.

Teksa liderët evropianë po përpiqen të vendosin një ekuilibër të kujdesshëm midis dy vendeve, vendet e tjera kanë dalë në mbrojtje të Serbisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha të martën: “Ne mbështesim përpjekjet e Serbisë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe i bëri thirrje Prishtinës që të krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Çfarë pritet të ndodhë më pas?

NATO po dërgon forca shtesë në Kosovë pas përleshjeve të së hënës, sipas një deklarate të martën. Dhuna në Kosovë vjen në një moment të pasigurt politik në Beograd. Serbia u trondit në fillim të këtij muaji pasi dy të shtëna masive vranë dhjetëra njerëz, kryesisht fëmijë.

Por ajo që filloi si vigjilje me qirinj për të vrarët u shpërtheu në protesta kundër qeverisë së Vuçiçit dhe “kulturës së dhunës” mbi të cilën ajo ka mbizotëruar.

“Kurrë nuk e kam parë (Vuçiçin) kaq nervoz” – tha Bosko Jaksiç, një komentator i politikës së jashtme në Beograd duke shtuar: “Menaxhimi i tij i krizës nuk po funksionon.”

Megjithatë, kriza në Kosovë mund t’i sigurojë Vuçiçit, i cili shpesh e ka përdorur nacionalizmin serb si një thirrje për përkrahësit e tij, një lehtësim të mirëpritur.

Teksa rrugët e Beogradit kohët e fundit janë përmbytur nga ata që protestojnë kundër “kulturës së dhunës” të Serbisë, demonstruesit nacionalistë dolën në rrugë të martën për të protestuar jashtë ambasadave franceze dhe gjermane, ndërsa mbështetësit e Vuçiçit e kthyen zemërimin e tyre ndaj promotorëve evropianë të pavarësisë së Kosovës.

Në komentet e së martës, Vuçiç ngjalli frikë se dhuna në Kosovë mund të përbëjë kërcënim për serbët etnikë në rajon, duke thënë se Serbia ka “shqetësim për mbijetesën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë”.

“Kosova po e ndihmon atë”, tha Jakshiç. “Ai po e ndërton staturën e tij patriotike në Kosovë. Ai është një mbrojtës i madh i çështjes serbe. Ai është shpëtimtari i popullit serb… E gjithë ajo retorikë që e kemi dëgjuar disa herë më parë po përdoret përsëri. Dhe ka shumë njerëz që po e besojnë atë”.

/TV Malisheva

Share.