Konsumimi i çokollatës së zezë i ka disa përfitime për funksionimin e trurit, duke e përfshirë zvogëlimin e niveleve të stresit dhe inflamacionit, dhe përmirësimin e disponimit, kujtesës dhe imunitetit, sipas dy studimeve.
Hulumtuesit në Loma Linda University Adventist Health Sciences Center në Kaliforninë Jugore studiuan se si konsumi i çokollatës së zezë me një përqendrim të lartë të kakaos – të paktën 70 për qind, me pjesën tjetër të sheqerit të kallamit organik – ka efekte pozitive. Të dy studimet u prezantuan të martën në takimin vjetor Experimental Biology 2018 në San Diego.
Në të kaluarën, hulumtimi ka treguar se kakao është një burim i madh i flavonoideve. Për shkak se janë antioksidante dhe agjentë anti-inflamatorë jashtëzakonisht të fuqishëm, flavonoidet janë pozitive për trurin dhe shëndetin kardiovaskular, thanë hulumtuesit.
“Për vite me radhë e kemi shikuar ndikimin e çokollatës së zezë në funksionet neurologjike nga pikëpamja e përmbajtjes së sheqerit – sa më shumë sheqer, aq më të lumtur jemi”, tha dr. Lee S. Berk, dekan i çështjeve kërkimore në Loma Linda dhe hulumtuesi kryesor në të dy studimet, në një njoftim për shtyp, transmeton Koha.net. “Kjo është hera e parë që e kemi parë ndikimin e sasive të mëdha të kakaos në doza të vogla sa një shufër çokollate në madhësi të zakonshme, në njerëz në periudha të shkurtra ose të gjata kohore, dhe jemi të inkurajuar nga gjetjet”.
Ai vuri në dukje se sa më i lartë përqendrimi i kakaos, aq më pozitiv ndikimi në njohje, kujtesë, disponim, imunitet dhe efektet e tjera të dobishme.
Njëri studim merrej me atë se si çokollata e zezë ndikon në shprehjen e gjeneve të njeriut, duke përfshirë reagimin imunitar, sinjalizimin nervor dhe perceptimin ndijor.
Studimi tjetër u mor me atë se si kakaoja e rrit neuroplasticitetin për përfitimet e sjelljes dhe shëndetit të trurit. Ata e regjistruan elektroencefalografinë, ose EEG, reagimin ndaj konsumimit të 48 gramëve çokollatë të zezë pas 30 minutave dhe dy orëve. Ata vunë re frekuencë përfituese gama po ashtu edhe gjatë EEG.
Beck tha se hulumtimi shtesë me një studim të madh është i nevojshëm për ta përcaktuar rëndësinë e këtyre efekteve për qelizat imune dhe trurin. Ata gjithashtu duan ta studiojnë marrëdhënien shkak-pasojë të trurit me kakaon në një përqendrim të lartë.
Në vitin 2017, studiuesit raportuan se konsumimi i sasive të moderuara të çokollatës së zezë kishte ulur rrezikun e fibrilimit atrial, ose AF, një lloj ky i shpeshtë i rrahjeve të parregullta të zemrës, përcjell Koha.net. Hulumtuesit në Shkollën e Harvardit për Shëndetin Publik dhe ata në Danimarkë i studiuan 55.502 meshkuj dhe femra që morën pjesë në studimin danez të titulluar Danish Diet, Cancer and Health Study, i cili rekrutoi pjesëmarrës nga dhjetori 1993 deri në maj 1997.
Në vitin 2014, hulumtimi gjithashtu konkludoi se çokollata e zezë ndihmon në lirimin e arterieve të ngurtësuara dhe i parandalon qelizat e bardha të gjakut nga ngjitja në muret e trasha të arteries – dy shkaqe këto kryesore të aterosklerozës. Për këtë studim, studiuesit në Holandë i monitoruan 44 meshkuj me moshë mesatare dhe me mbipeshë të cilët kishin ngrënë 70 gramë çokollatë të zezë në ditë gjatë dy deri katër javëve. /TV Malisheva