Bashkimi Evropian (BE) nuk duhet të përkulet para kërcënimeve të Turqisë, e cila ka thënë, se do t’i hapë rrugë miliona refugjatë sirianë për të shkuar në vendet e BE-së, tha të premten kryeministri italian, Giuseppe Conte.
Ai shtoi se Ankaraja duhet të ndalojë menjëherë operacionet e saj ushtarake në veri të Sirisë.
“BE-ja nuk mund ta pranojë këtë shantazh. Përpjekjet turke për të mirëpritur refugjatët sirianë, nuk mund të bëhen më pas një mjet shantazhi, për një iniciativë ushtarake, të cilën ne nuk mund ta pranojmë dhe e cila duhet menjëherë të ndalet”, u tha Conte gazetarëve.
Turqia, po përballet me kritikat e Bashkimit Evropian për një ofensivë në veri të Sirisë që ka për synim dëbimin e luftëtarëve kurdë, të cilët i konsideron si terroristë.
Kurdët e veriut të Sirisë kanë luftuar kundër grupit militant Shteti Islamik deri në mposhtjen e tij.
Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, më 10 tetor, i tha Bashkimit Evropian se nëse blloku evropian do të emërtonte ofensivën si një okupim ai do të “hapte portat dhe do të dërgojë 3.6 milion refugjatë” në Evropë./REL