Vetëm brenda këtij viti, në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë zbuluar tri mbetje arkeologjike të cilat datojnë nga periudha e hershme romake e të cilat po dokumentojnë lashtësinë e popullit shqiptar në rajon.

Në shkurt të vitit 2023, gjatë punimeve në varrezat e vjetra në lagjen “Karposh” të Shkupit, u nxorën në sipërfaqe dy pllaka mbivarrore ku në njërën prej tyre është i shkruar qartazi emri “Dardanus”.

Pak kilometra larg Prishtinës, në mes të muajit gusht, arkeologët e Kosovës dhe ata të Francës zbuluan një mbishkrim të perandorit Justinian (527-565), i cili po del të jetë dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë [Kosovën e sotme].

Ndërsa të premten [13.10.2023], u bë e ditur se gjatë punimeve për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në qytetin antik të Durrësit, punëtorët kanë hasur në disa mbetje të rëndësishme arkeologjike.

Si gjetje kryesore po cilësohet një mozaik i përbërë me forma gjeometrike, i cili po del të jetë punuar me mjeshtri në periudhën e hershme romake.

Sipas arkeologëve, të gjitha këto zbulime dëshmojnë se në këtë rajon kanë banuar ilirët dhe se shqiptarët janë pasardhës së tyre.

Arkeologu nga Shqipëria, Luan Perzhita, i cili drejton ekipin e arkeologëve në Durrës, në një intervistë, bën të ditur se gjurmët gjithmonë janë të vendasve, në rastin konkret të ilirëve dhe dardanëve si një prej fiseve më të mëdha të Ilirisë.

“Gjatë punimeve që po bëhen në qytetin e Durrësit për ndërtimin e shkollës ‘Gjergj Kastrioti’, u konstatuan gjurmët e një mozaiku, por edhe të disa ndërtimeve tjera të cilat lidhen në kohë me shekullin I pas Krishtit me shekullin II. Kjo përkon me ndërtimin edhe të amfiteatrit të Durrësit. Për sa i takon mënyrës së ndërtimit, natyrisht se kjo tash është një pjesë e këtij mozaiku, pasi që pritet të zbulohet i gjithë mozaiku që paraprakisht mendohet që është shumë i madh”, ka thënë Perzhita.

Ai ka vazhduar tutje duke treguar për mënyrën se si është ndërtuar mozaiku dhe gjendjen e tij.

“Është ndërtuar me disa figura gjeometrike, por ka edhe motive florale. Është punuar me gurë me ngjyrë blu të errët si dhe me gurë të tjerë që janë ngjyrë qumështi. Dekori, mënyra e organizimit, cilësia e punimit, mënyra se si interpretohet gjithë kjo nga ana artistike e pikturave tregon që kemi të bëjmë me një punë shumë cilësore me një kualitet mjaft të lartë e cila natyrisht i përkiste me siguri një vile ose një banese mjaft luksoze të qytetit antik të Durrësit e cila ishte e orientuar me shikim nga pjesa e detit”, tregon arkeologu.

Tutje, Perzhita tregon se në shekullin e katërt, Durrësi është goditur nga një tërmet i fuqishëm dhe të cilit besohet se i ka shpëtuar ky mozaik.

“Mozaiku është zbuluar në një thellësi prej gjashtë metrash e gjysmë dhe natyrisht se gjithë kjo ka bërë punën e vetë. Natyrisht që edhe në shekullin IV, ne dimë se në qytetin e Durrësit ka qenë një tërmet katastrofik i cili ka shkatërruar edhe një pjesë të mirë të këtij qyteti. Gjithsesi, tani pjesa që ne kemi zbuluar ruhet me perfeksion shumë të mirë, por kemi vënë re që në pjesët tjera, ndoshta pasi të dalë edhe zbulimi i plotë i gjithë sipërfaqes, do të kemi një reagim më të sigurt për gjithë ruajtjen edhe për mënyrën se si është ndërtuar”, ka potencuar ai.

I pyetur nëse është herët të konstatohet autorësia e mozaikut, arkeologu thekson se mozaikët zakonisht janë punuar nga mjeshtrit dhe mjeshtrit zakonisht kanë qenë vendas.

“Ashtu si në Iliri, si në Dardani, mozaikët janë bërë nga mjeshtrit, mjeshtrit zakonisht kanë qenë vendas. Mënyra e mozaikut ose pamja e mozaikut është me porosi nga pronari i banesës, edhe gjithçka si të thuash produkti është vendas.  Gjurmët janë gjithmonë të vendasve, në rastin konkret të Ilirëve edhe të Dardanëve dhe natyrisht është një moment që unë do të thosha që jemi shumë shpejt që të japim konkuzione të tilla sepse ne presim ndoshta që do të ketë edhe shenja të tjera të cilat do ta plotësojnë akoma më mirë këtë situatë”, ka thënë në fund arkeologu Luan Perzhita.

Ndërsa për zbulimin në lokalitetin “Ulpiana” që ndodhet pak kilometra larg Prishtinës, ka folur arkeologu dhe përgjegjësi për parkun arkeologjik, Milot Berisha.

Milot Berisha – Arkeolog nga Kosova

Në një intervistë për Klankosova.tv edhe ai thekson se me zbulimin e këtyre vlerave arkeologjike po dalin në pah gjurmët iliro-dardane.

“Zbulimi i mozaikut të dyshemesë të bazilikës paleokristiane që në fakt ne tashmë e kemi identifikuar si një ipeshkvi të Justianiana Secundas është historik, ka peshë të madhe historike sepse është një konfirmim që qyteti i është ndërtuar pas shkatërrimeve të një tërmeti. Në vitin 518 është rindërtuar nga Perandori Justinian i madh. Mbishkrimi na ofron këtë informacion se Perandori Justinian është vetë me origjinë dardane sa bashku me bashkëshorten e tij Perandoreshën Teodora ndërtuan një qytet të ri në Secunda – pra në prapatokën e Ulpianës, ndërtuan një bazilike me përmasa jashtëzakonisht të mëdha aty dhe mbishkrimi i shkruar është unik në botë. Tregon momentin e inaugurimit të një bazilike nga ky çift perandorak – pra Justiniani dhe Teodora – në një qytet dardan për një peshkopatë të inauguruar në ditën e lindjes së Krishtit”, ka thënë arkeologu Berisha.

Mbishkrimi i Perandorit Justinian

I pyetur se si duhet të kuptohen këto zbulime, ai thotë se tani po konfirmohet shkencërisht se shqiptarët janë një popull pasardhës Ilirëve.

“Absolutisht që e cilësoj kështu sepse kështu e kanë cilësuar edhe tjerët para nesh. Ne nuk është që kemi thënë diçka të re. Ne thjesht kemi argumentuar shkencërisht përmes kulturës materiale për të dhënat historike qofshin ato ilire, greke apo romake dhe sigurisht që këto të gjitha e plotësojnë një mozaik, një tablo të përgjithshme të asaj që ne tashmë e dimë dhe e argumentojmë posaçërisht në raport me të huajt. Në rastin e Kosovës, Kosova është një e treta e territorit të Dardanisë, me kryeqendër Shkupin antik, edhe me qytetet të rëndësishme sikur Ulpiana, Nishi antik e të tjera”, ka shtuar ai.

“Me rreshtimin e saj [Dardanisë] me kornizat e asokohe dhe me zbulimin e Durrësit ne vetëm sa konfirmojmë shkencërisht se ne jemi një popullatë pasardhëse indigjene, autoktone – konkretisht Kosova, Maqedonia e Veriut (një pjesë), Sanxhaku dhe Serbia jugore – jemi popullatë pasardhëse e Dardanëve, ndërsa Dardanët kanë qenë njëri nga fiset më të madha të trungut ilir dhe pikërisht çka ne sot e njohim si Ballkan, në të kaluarën është njohur si Gadishulli Ilir”, ka potencuar në fund arkeologu Milot Berisha.

Besohet se vetëm një përqindje e vogël e lokalitetit arkeologjik “Ulpiana” është zbuluar deri më sot. Në tetor të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim për fillimin e procesit të shpronësimit të pronave përreth këtij lokaliteti, në mënyrë që të bëhen hulumtime të mëtutjeshme në atë zonë.

/TV Malisheva

Share.