Disa persona që i mbijetuan coronavirusit, kanë përjetuar probleme me dëgjimin edhe pasi ishin liruar nga spitali, zbulon një studim.

Sipas medieve të huaja audiologët në Universitetin e Mançesterit, anketuan 121 të rritur që patën qenë të infektuar nga COVID-19.

Kur u pyetën gjatë seancës së testimit, 16 prej tyre potencuan se dëgjimi iu kishte përkeqësuar.

Tetë thanë se kishin probleme në dëgjim, dhe tetë të tjerë konfirmuan se kishin ndjerë tringëllimë në veshët e tyre – (dëgjimi i zhurmës i cili nuk shkaktohet nga një burim i jashtëm).

Studiuesit thanë që rezultatet e botuara në Gazetën Ndërkombëtare të Audiologjisë, tregojnë se coronavirusi mund të shkaktojë edhe efekte të tjera afatgjate.

Ndërkohë, profesori Kevin Munro nga Qendra e Hulumtimeve Biomjekësore në Mançester për Problemet në Dëgjim, tha se coronavirusi mund të dëmtojë nervat që bartin informacionet tek truri.

“Është e mundur, në teori që COVID-19, të mund të shkaktojë probleme në pjesët e sistemit të dëgjimit”, tha ai./Tv Malisheva

Share.