Ndërkohë që rastet e infektimit COVID-19 po rriten në të gjithë Italinë dhe jo vetëm në rajonin e Campania-s, qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte është nën një presion në rritje për të ndërmarrë veprime më të rrepta për frenimin e virusit.
Një rekord ditor prej 19 644 rastesh të reja u raportua sot, rreth 600 më shumë se dje, ndërsa pacientët në kujdes intensiv u shtuan në 1 128, një nivel i parë për herë të fundit në fillim të majit.
“Duke filluar nga 26 tetori 2020, aktivitetet e shërbimeve të hotelierisë (përfshirë baret, pub-et, restorantet, pastiçeritë) pezullohen të dielave dhe gjatë festave zyrtare. Në ditët e tjera ato lejohen nga 05:00 deri në 18:00”, përcaktohet në një projektligj mbi të cilin qeveria po punon gjatë këtyre orëve, raporton ATSh.
Projektligji parashikon që pas orës 18:00 të ndalohet konsumimi i ushqimit dhe pijeve në vende publike dhe të hapura për publikun, ndërsa furnizimi me ushqim në shtëpi është i lejuar në përputhje me rregullat e higjienës dhe shëndetit.
Aktivitetet e sallave të lojërave, basteve, bingos dhe kazinove pezullohen.
Aktiviteti didaktik dhe edukativ do të vazhdojë të zhvillohet në prani.
Rrugët ose sheshet në qendrat urbane, ku mund të krijohen situata të mbingarkesës, mund të mbyllen për publikun pas orës 21:00, pa paragjykuar mundësinë e hyrjes dhe daljes, për të hapur në mënyrë të ligjshme bizneset dhe shtëpitë private.
Projektligji me masat e reja antiCOVID-19 po diskutohet dhe mund të pësojë ndryshime të mëtejshme