Serbia po tenton që sovranitetin e Kosovës ta cënojë edhe përmes sportit.

Lidhur me këto veprime të Beogradit, sot është planifikuar të mbahet një ndeshje futbollistike ndërmjet ekipit të Crvena Zvezdës dhe ekipit të Trepçës ilegale.

Ndeshja planifikohet të mbahet në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë, ani pse i takon 1/16 të Kupës së Serbisë.

Gjithsesi, Crvena Zvezda mund të kthehet prapa ende pa hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut të Mitrovicës, Branislav Radoviq, për lajmi.net ka konfirmuar se ekipi i Crvena Zvezdës, ani pse është nisur qysh ditën e djeshme, ende nuk ka hyrë në Kosovë.

Ai ka thënë se skuadrës serbe nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë.

“Crvena Zvezda nuk ka mbërritur në Kosovë. Unë jam pyetur për këtë çështje edhe mbrëmë nga mediat serbe dhe përgjigja ime është e njëjtë edhe sot se skuadrës nga Beogradi nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë. Njësoj atyre u është ndaluar zhvillimi i ndeshjes në fjalë”, ka thënë Radoviq.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë se mund të ndryshojë vendimi që Crvena Zvezda të lejohet të hyjë në Kosovë.

Share.