Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka kërkuar nga emisarët për dialogun Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar që të përdorin autoritetin e tyre dhe ndikojnë te Prishtina zyrtare për lejimin e organizimit të zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë.

Sipas mediave serbe, Daçiq tha se Serbia ishte e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës, duke shtuar se dialogu është e vetmja mënyrë për këtë.

Lajçak ka thënë se qëndrimi i BE-së është që zgjedhjet të organizohen edhe në Kosovë dhe se këtë e ka diskutuar me zyrtarët kosovarë gjatë vizitës së tij në Prishtinë këtë javë, thuhet në deklaratën e Kabinetit të Daçiq.

Ai tha se dialogu është “procesi i vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe shtoi se pas zgjedhjeve në Serbi do të hapet hapësira për intensifikimin e tij.

Lajçak tha se vizita e tij e përbashkët me Escobar duhet t’i tregojë të gjithë rajonit se BE dhe SHBA kanë të njëjtin vizion për Ballkanin dhe se është anëtarësimi në BE.

Ndërsa Escobar konfirmoi rëndësinë e vizitës së përbashkët në Beograd dhe Prishtinë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara duan të dërgojnë një mesazh të qartë për të parë të ardhmen e të gjithë rajonit në BE.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE është i vetmi mekanizëm që Shtetet e Bashkuara mbështesin në zgjidhjen e çështjeve të hapura,” tha Escobar, duke shprehur gatishmërinë e Uashingtonit për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme./TV Malisheva

Share.