Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq përkundër faktit që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për të mos penguar njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Daçiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kërkoi zbatimin e plotë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ose duhet të pezullohet ose të respektohet.
Daçiq: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel
“Dialogu në mes Serbisë dhe Kosovës është në momente të rëndësishme dhe ndoshta edhe të ndërlikuara politike të 27 marsit në Bruksel dhe Ohër dhe kemi treguar përpjekjet tona për normalizim të marrëdhënieve dhe raporti i sekretares tregon se ende ka pasiguri për serbët dhe është e domosdoshme që marrëveshjet, duke filluar me marrëveshjet e nënshkruara 10 vjet më parë nga Hashim Thaçi nuk janë zbatuar plotësisht. Është e domosdoshme që të formohet Asociacioni i komunave sa më shpejt që të jetë e mundur sepse është një mekanizëm për të ofruar siguri në rajonet e banuara me shumicë serbe… ky është një kusht për zbatimin e mëtejmë të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër“, tha ai.
Ai foli edhe për zgjedhjet e organizuara në veri të Kosovës, duke thënë se ato nuk ishin demokratike dhe se serbët kanë bojkotuar ato.
Daçiq: Nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së
“Serbia nuk mund dhe kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së”, tha ai.
Sipas tij, paraprakisht duhet që obligimet e marra para 10 viteve për themelimin e asociacionit, të përmbushen, në të kundërtën nuk do të ketë asnjë marrëveshje.
/TV Malisheva