Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se “nuk ka asnjë informatë” që kishte konfirmuar pretendimet e ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli se konsullatën e Kosovës në Kopenhagë e kanë sulmuar serbët, dhe se “për Prishtinën, çfarëdo që të ndodhë gjithmonë janë fajtor serbët”.

“Mbrëmë e kam gjurmuar këtë lajm, i kam kontaktuar njerëzit tanë, sepse askush nuk më ka treguar asgjë në lidhje me këtë. Ata më kanë thënë se askush nga njerëzit tanë nuk është arrestuar për këtë. Kështu që për momentin nuk kemi informata të tilla”, ka thënë Daçiq për TV Përva, dhe ka shtuar se konsullata e Kosovës është afër ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin e Danimarkës.

Siç ka thënë, fjalët e Pacollit për banditët dhe huliganët serb, me siguri kanë të bëjnë me simpatizuesit të cilët kanë qenë në ndeshjen Kopenhagë – Cërvena Zvezda, e cila është luajtur të martën mbrëma.

“Për momentin nuk kemi asnjë informatë. Simpatizuesit e Zvezdës, sa e di unë, janë kthyer të gjithë”, ka thënë Daçiq.

Ka shtuar se “sulme të tilla të palës kosovare janë të shumta në të cilat akuzohet pala serbe”.

“Pa marrë parasysh, çfarëdo që të ndodhë, për ta fajtorë janë serbët. Ata ankohen për agresivitetin tonë. E çfarë të thotë populli ynë, çfarë janë sjelljet ndaj tyre…”, ka thënë Daçiq.

Ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka shkruar dje në profilin e tij në Facebook: “Sot, në orët e hershme të mëngjesit, konsullata e Republikës së Kosovës është sulmuar në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës, ku huliganët dhe banditët serb e kanë dëmtuar stemën shtetërore të Kosovës”.

Share.