Trajneri i Ballkani Ilir Daja ka lënë të kuptohet se përballja me BATE Borisovin vjen në një moment jo shumë të mirë për skuadrën e tij pasi skuadra është më e lodhur për shkak të angazhimeve në dy kompeticione si dhe disa lëndimeve në ekip.
Ai ka konfirmuar se dyshja Lindon Emërllahu dhe Qëndrim Zyba nuk janë të gatshëm për këtë sfidë, edhe për këtë të dytin tha se mund të jetë në pankinë.
“Problemi qëndron në faktin se nëse do ta kishim të gjithë kontingjentin në dispozicion nuk do të ishte një problem i madh sepse gjërat janë automatizuar dhe nuk pritet ndonjë ndryshim shumë i madh për tre, katër ditë, por që kemi rrjedhje nga titullarët e formacionit bazë kur dihet që është larguar Rrahmani, është dëmtuar Emërllahu dhe në ndeshjen e fundit është dëmtuar edhe Zyba që nëse do të ketë shans nesër të jetë në pankinë apo jo sepse sigurisht që nga momenti i startimit nuk mund ta fillojë ndeshjen”, tha Daja.
Duke parë të gjitha këto mungesa dhe vështirësi, Daja ka pranuar se e sheh Bate Borisovin si skuadër favorite për sfidën e nesërme.
“Nëse do t’i referohemi eksperiencës, favorit është BATE, por që unë do të thoja që të dy ekipet asnjëra nuk është favorite. At që do t’i shfrytëzojnë nesër situata apo episodet që do t’i paraqesë loja, ajo mund të bëjë ndoshta një hap më përpara nesër, por këtë duam ta bëjmë vet, por e kërkova dhe po e citoj prapë, me mbështetjen e tifozëve tanë.”, theksoi trajneri shqiptar.
Mesfushori Nazmi Gripshi kërkoi nga bashkëlojtarëët që nesër të japim më shumë se 100 përqind për të marr një fitore ndaj bjellorusëve. Ai pranoi se mungesa e Emërllahut dhe të tjerëve e vështirëson këtë objektiv, por që forca e Ballkani është grupi.
“Pritshmëritë tona si ekip, dihet tashmë që kemi arritur këtu në fazën play off të Ligës së Konferencës, mendoj që kemi bërë disa ndeshje shumë të mira, përveç asaj ndeshje në turin e parë, por mendoj që nesër nëse të gjitha japim maksimumin, të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe shpresojmë që të arrijmë pozitiv këtu, bashkë me mbështetjen e tifozëve dhe pse jo edhe një fitore…Me të vërtetë janë larguar disa lojtarë si Rrahmani dhe Krasniqi, Lindoni është i lënduar, kemi edhe Zybën, mendoj që Ballkani në tërësi ka të bëjë me forcën e grupit dhe jo me individët, por ato dihet që janë një shtysë më e madhe për ne, por mendoj me lojtarët nesër që do të aktivizohen dhe me ata në bankën rezervë mendoj që nëse japim më shumë se 100 përqind na vetja disa lojtarë që janë më me eksperiencë në ekipin tonë mendoj që do të arrijmë t’i zëvendësojmë sa më mirë”, theksoi Gripshi.
Në fund, trajneri Ilir Daja foli edhe për largimin e sulmuesit Albion Rrahmani drejt Rapid Bukureshtit, gjë për të cilën tha se asnjë trajner nuk dëshiron që t’i largohet lojtarët cilësor, por që kjo ishte ajo që duhej bërë në këtë moment për të mos e penguar rritjen e lojtarit.
“Mendoj që çdo trajner nuk do që t’i largohen lojtarët, sidomos lojtarët e formacionit bazë, por që nga momenti kur kam arritur në Ballkan, edhe nga eksperienca që kam pasur nga Skenderbeu, ne patjetër duhet t’i japim shansin lojtarëve që promovohen në një kampionat më të fortë se sa kampionati vendor sepse kështu mund të thithim edhe element të tjerë të rinj…Në një moment që vjen një ofertë shumë e mirë për klubin dhe lojtarin, sepse janë dy anë që shkojnë në paralel…duke parë këtë lloj politike, jemi munduar që nëse oferta klub-lojtar do të jetë ofertë e mirë, atëherë do t’i japim mundësinë të gjithë lojtarëve që të shkojnë dhe të përfaqësojnë jo vetëm veten e tyre por edhe atë pjesë të futbollit të Kosovës që ata e prezantojnë në shtetet e tjera.”, theksoi Daja.
Si trajneri, ashtu edhe Gripshi kanë bërë thirrje që të ketë përkrahje sa më të madhe nesër në stadiumin ”Fadil Vokrri” për këtë ndeshje që nis nga ora 20:45.
/TV Malisheva