Sulmuesi Albion Rrahmani e braktisi Ballkani për të kaluar tek Rapid Bukureshti, kjo pasi ata paguan 600 mijë euro për shërbimet e tij, ofertë e cila ishte e parezistueshme për kampionit e Kosovës.
Largimi i tij ka lënë një zbrazëtirë mjaftë të madhe në skuadrën e trajneri Ilir Daja, sidomos kur dihet se skuadra po garon edhe në Ligën e Konferencës, përveç Superligës së Kosovës.
Për largimin e tij ka folur trajneri Ilir Daja, i cili gjatë konferencës për media para ndeshjes me Bate Borisovin dhe se largime të tilla nuk i do asnjë trajner, por që klubi ka vendosur që të mos i pengojë lojtarët kur kanë oferta të tilla në mënyrë që ata ta vazhdojnë rritjen e tyre në karrierë.
“Mendoj që çdo trajner nuk do që t’i largohen lojtarët, sidomos lojtarët e formacionit bazë, por që nga momenti kur kam arritur në Ballkan, edhe nga eksperienca që kam pasur nga Skenderbeu, ne patjetër duhet t’i japim shansin lojtarëve që promovohen në një kampionat më të fortë se sa kampionati vendor sepse kështu mund të thithim edhe element të tjerë të rinj…Në një moment që vjen një ofertë shumë e mirë për klubin dhe lojtarin, sepse janë dy anë që shkojnë në paralel, duke parë këtë lloj politike, jemi munduar që nëse oferta klub-lojtar do të jetë ofertë e mirë, atëherë do t’i japim mundësinë të gjithë lojtarëve që të shkojnë dhe të përfaqësojnë jo vetëm veten e tyre por edhe atë pjesë të futbollit të Kosovës që ata e prezantojnë në shtetet e tjera.”, theksoi Daja.
Ballkani ballafaqohet sonte me BATE Borisovin në kuadër të play off it të Ligës së Konferencës në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.
/TV Malisheva