Sulmuesi që hapi zjarr mbrëmë në një qendër tregtare në Danimarkë duke vrarë tre njerëz e duke plagosur katër të tjerë, raportohet se kishte probleme mendore dhe nuk kishte bindje terroriste, tha sot policia.

Vrasësi e emëruar si 22-vjeçari Noah Esbensen, qëlloi për vdekje tre vetë brenda qendrës tregtare Field’s në Copenhagen në terrorin që zgjati rreth 15 minuta.

Vrasesi me fytyrë fëminore, Esbensen u arrestua pas masakrës dhe u paraqit sot në gjykatë për atë që konsiderohet si vrasja më e rëndë masive e Danimarkës.

Ai foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij, teksa rrethohej nga policë të armatosur rëndë.

Viktimat e tij fatkeqe ishin dy 17 vjecarë vendas, një djalë e një vajzë, dhe një rus 47-vjeçar që jetonte në Danimarkë.

Të plagosurit ishin dy danezë, një 40 vjeçare e një 19 vjeçare- dhe dy shtetas suedezë, një burrë 50 vjeçar e një vajzë 16 vjeçare. Hetuesit thanë se viktimat ishin të rastësishme dhe se sulmuesi ka vepruar i vetëm.

Më herët Esbensen kishte postuar video duke pozuar me pushkë dhe pistoletë në rrjetet sociale.

Ai postonte gjithashtu muzikë me tematikë vetëvrasjeje dhe shkruante se mjekimet anti-psikotike “nuk funksionojnë më”.

Ai përmendte në postin emrin e një mjekimi që përdoret për të trajtuar çrregullime psikologjike si skizofrenia, çrregullimi bipolar ose depresioni.

Hetuesit vendas folën pas shfaqjes së pamjeve të vrasësit, që i veshur me kanatiere e pantallona të shkurtra, ecte mes qendrës tregtare me pushkën e tij në dorë.

Teksa ecte në një prej kateve të sipërme të qendrës tregtare, sulmuesi duket se ndalonte për disa sekonda para atyre që e filmojnë me celularë.

Policia tha se vrasësi kishte dy armë për sulmin, një pushkë Sauer dhe një pistoletë Walter, por nuk është e qartë nëse të dyja u përdorën në masakër.

Armët ishin të blera ligjërisht por sulmuesi nuk kishte leje për t’i përdorur, thanë oficerët./TV Malisheva

Share.