Partia Demokratike në Shqipëri ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama të bëra në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër, duke thënë se Rama po dëshmon mungesë respekti ndaj së shkuarës tragjike të Ballkanit.
PD ka deklaruar se kjo parti e refuzon çdo projekt që sipas tyre kërkon të zëvendësojë Procesin e Berlinit. Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Floriana Garo ka thënë se çdo vendimmarrje e Ramës që e cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s është antishqiptare.
Garo në një konferencë për media ka thënë se Edi Rama po i shërben një projekti serbo-rus dhe antishqiptar.
Garo: Edi Rama po dëshmon një mungesë respekti ndaj së shkuarës tragjike të Ballkanit
“Duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit. Mohimi i gjenocidit dënohet me ligj ndërkombëtar. Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiq-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje, të asaj çka është një tentativë rishkruarje të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur.Refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dyfishtë se Edi Rama po i shërben në mënyrë të verbër një projekti serbo-rus, antishqiptar.”, ka thënë Garo.
Ajo ka thënë se vijimi normal i procesit të Berlinit dhe integrimit evropian për çdo vend të Ballkanit konsiderohet si e vetmja rrugë drejt së ardhmes të këtyre shteteve të rajonit.
Garo: PD refuzon çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Procesin e Berlinit
“Partia Demokratike e Shqipërisë refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin Evropian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan. Partia Demokratike e Shqipërisë rikujton gjithashtu se pavarësia e Kosovës dhe fuqizimi i saj si shteti i pavarur vjen mbi çdo agjendë bashkëpunimi rajonal. Çdo vendimmarrje e Edi Ramës që cenon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe NATO-s, është një vendimmarrje antishqiptare”, ka thënë ajo.
Ndërsa Edi Rama ka folur sot në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Aty, kryeministri i Shqipërisë ka përmendur shtetet të cilat janë pajtuar pas konflikteve që kanë pasur dhe ka deklaruar se vetëm duke u afruar Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë paqe.
/TV Malisheva