Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për të gjitha viktimat e përmbytjeve në Libi dhe nga tërmeti në Marako.
Para fillimit të seancës plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në konsultim me të gjitha grupet parlamentare kanë vendosur të mbajnë një minutë heshtje për të gjithë ata që humbën jetën në këto dy katastrofa.
“Ne i pamë me shumë trishtim përmbytjet që ndodhën në Libi dhe tërmetin në Maroko, prej të cilave katastrofa humbën jetën me mijëra qytetarë të këtyre dy vendeve. Prandaj në konsultim edhe me grupet parlamentare, vendosëm që të mbajmë një minutë heshtje për humbjen e jetës së të gjithë atyre personave në këto katastrofa”, tha Konjufca.
Nga përmbytjet në Libi, raportohet për mijëra njerëz të vdekur apo të zhdukur, qindra ndërtesa e rrugë të shkatërruara dhe zona të tjera të zhytura në ujë.
Ndërkaq, në tërmetin e datës 8 shtator në Maroko kanë vdekur më shumë se dy mijë persona.
/TV Malisheva