Në raportimin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti për të gjeturat e Raportit të Progresit për vitin 2020 para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, deputetët e VV-së kanë kritikuar BQK-në për ngritjen e çmimeve për primet e sigurimeve prej 26 përqind më 2019.
Deputeti nga VV-ja Eman Rrahmani në këtë Komision ka adresuar edhe çështjen e normave të larta të interesit në institucionet mikrofinanciare, si dhe për rritjen e çmimit të sigurimeve për automjetet.
Deputeti Rrahmani kërkoi ta dinë se çfarë masash ka ndërmarr BQK për parandalimin e këtyre normave kaq të larta prej mbi 20 përqind dhe siç tha ai për veprimin e dëmshëm për shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve.
Deputeti Rrahmani ngriti edhe tërheqjen e dy licencave për dy institucioneve mikrofinanciare, por ndaj kësaj pyetje ka ndërhyrë kryetari i këtij Komisionit, Armend Muja, i cili tha se për këtë çështje flasin më vonë pasi sipas tij është çështje e ndjeshme.
Rrahmani: Si shpjegohet rritja e çmimeve të primeve të sigurimeve?
“Cilat janë masat që ka ndërmarr BQK për të krijuar parakushte që këto norma të zvogëlohen. Pse BQK nuk vepron për të përmirësuar situatën në këtë sektor, edhe për të parandaluar varfërimin edhe më të madh të kësaj shtrese mjaft të varfër të popullsisë. Si shpjegohet që në rastin e çmimeve të primeve të sigurimeve që shkojnë direkt që shkojnë direkt në portofoleve të kompanive në vitin 2019, ndërhyrjen me vendim për t’i rritur çmimet, ndërsa në rastin kur është në pyetje xhepi i shtresës më të varfër të popullsisë qëndron e shurdhër, dhe tërësisht inekzisitente”, tha Rrahmani.
Ndaj pyetjeve të deputetit Rrahmani për normat dhe shtrenjtimin e sigurimeve ka reaguar deputeti nga PDK-ja Bedri Hamza ku kërkoi nga kolegët e tij që të respektojnë rendin e ditës dhe mos të bëjnë pyetje guvernatorit për të gjitha aktivitetet në BQK.
Hamza: Rekomandoj që t’i përmbahemi rendit të ditës
“Unë po rekomandoj që t’i përmbahemi rendit të ditës në mënyrë specifike ashtu qysh e kemi marrë. Në të kundërtën nëse ka nevojë me bisedua diçka tjetër brenda kompetencave tona si Komision ne duhet t’i thërrasim në raportim për çështje të caktuara. Në rastin konkret këtu kemi raportimi i BQK për të gjeturat e raportit të progresit për vitin 2020”, tha Hamza.
Kryetari Komisionit Armend Muja nga VV-ja, reagoi ndaj deputetit Hamza, i cili theksoi se deputetët kanë të drejt të pyesin guvernatorin Mehmeti edhe për rritjen e sigurimeve, pasi sipas tij, kjo potencohet në Raportin e Progresit.
Muja: Edhe në raportin e progresit nënvizohet rritja e çmimeve të sigurimeve
“Deputet Hamza, pyetja e deputeti lidhet drejtpërdrejt me atë çka prezantoi guvernatori Mehmeti. Në raport të progresit po ashtu specifikohen tërheqja e licencave, mirëpo këtë pyetje unë po e shtyjë për shkak të ndjeshmërisë në të cilën gjendet Kosova. Kurse, sa i përket rritjes së primeve po ashtu është e nënvizuar në Raportin e Progresit. Kështu që duhet lejuar guvernatorin të përgjigjet“, tha Muja.
Kështu gjatë raportimit guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti pasi që ka prezantuar arritjet e raportit të progresit, iu ka përgjigjur deputetit Rrahmani dhe tha se çmimet do të rregullohen përmes liberalizimit të çmimeve.
Përderisa, për normat e larta të interesit në mikrofinanca pranoi se janë të larta, sa i përket tarifave për kompanitë e sigurimeve, Mehmeti theksoi se për këtë arsye janë angazhuar ekspert të fushës nga Banka Botërore, presim sivjet raportin e tyre me ekspertizë për këtë sektor.
Mehmeti: Kemi angazhuar ekspert nga BB-ja për adresimin e rritjes së çmimeve të sigurimeve
“Sa i përket tarifave për kompanitë e sigurimeve, jemi në proces, kemi anagzhuar ekspert të Bankës Botërore, jemi duke punuar në drejtim të asaj që bëjmë një liberazlim bazuar në tarifat dhe të caktohen bazuar në risk. Për këtë arsye edhe kemi angazhuar ekspert të Bankë Botërore dhe unë pres që kjo çështje do të adresohet gjatë këtij viti. Për këtë kemi menduar që ta adresojmë edhe më herët, por për shkak të pandemisë deri më tani ende s’ka përfundua. Prandaj, për këtë kemi pasur nevoj që të angazhojmë ekspert të kësaj fushe nga BB për këtë çështje”, theksoi ai.
Në këtë Komision, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka dalë në mbrojtje të industrisë së sigurimeve për rritjen e çmimeve rreth 26 përqind, pasi sipas tij rishikim të këtyre çmimeve nuk ka pasur që nga viti 2001, natyrisht sipas tij, mbajtja e atij niveli ose çmimeve do të dështonte industrinë e sigurimeve.
Havolli: Mos rritja e çmimeve do ta dështonte industrinë e sigurimeve
“Niveli i çmimeve për herë të parë dhe të fundit në industrinë e sigurimeve është përcaktuar në vitin 2001 dhe që nga atëherë nuk ka ndryshuar asnjë herë. Përderisa një dëm mesatar të një aksidenti e kemi pasur në vlerën rreth 400 euro në vitin 2001, dëmi mesatar në vitin 2019-2020 sillet rreth 1200 euro. Numri i aksidenteve me dëme jo materiale, me lëndime që bartë kosto për industrinë e sigurimeve ka qenë rreth 2 mijë kërkesa për kompensime, tani kjo në vitin 2019 e tutje e kalon numrin prej 12 mijë. Prandaj mbajtja e atij niveli natyrisht se do ta dështonte një industri të tërë”, theksoi Havolli.
Deputetja Duda Balje ngriti çështjen e numrit të madh të automjeteve të pasiguruara dhe sfidën e anëtarësimit të Kosovës në Byron e Kartonit të Gjelbër.
Për, këtë Guvernatori Mehmeti tha se me këtë përqindje të lartë të automjeteve të pasiguruara në vend 25-30 përqind do të jetë i pa mundshëm anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër, edhe po të jetë Kosova vend anëtare e OKB-së që është kriter.
Mehmeti gajtë raportimit për raportin e progresit, tha se BQK vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm dhe të kontribuoj në realizmin e agjendës për integrime evropiane.
Ai tha se sisitemi financiar i Kosovës është qëndrueshëm dhe stabil, e cila sipas tij konfirmohet edhe nga FMN-ja.
Mehmeti: Sektori bankar luajti rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike
“Kriza pandemike gjeti sektorin financiar shumë të shëndosh, me likuiditet dhe nivel shumë të ulët të kredive jo performuese si rezultat i rregullativës adekuate financiare dhe mbikqyrjes së standardeve më të larta të mbikëqyrjes nga ana e BQK-së. Kjo bëri që sektori bankar jo vetëm që arriti t’i përballoj të gjithë ta papriturat, por njëkohësisht të marrë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike”, theksoi ai.
Ndërsa, Komisioni pa diskutim ka miratuar raportin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 06/L-091 të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit./TV Malisheva