Komisioni për Integrim Evropian ka diskutuar lidhur me përmbushjen e obligimeve të Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka shqyrtuar raportin e Ministrisë së Integrimit Evropian lidhur me financimin e Kosovës nga BE-ja, në luftimin e COVID-19.
Kryetar i komisionit Armend Zemaj ka thënë se kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar, gjithashtu ai tha se nga muaji janar Prokuroria Speciale ka ngritur 5 aktakuza. Ai ka thënë se procesi i vettingut duhet të vazhdojë.
“Ka kaluar një kohë e gjatë kur Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizim të vizave. Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur kriteret, por një gjë të tillë ende nuk e ka konfirmuar këshilli i BE-së. Bazuar në raport që e kemi këtu nga muaji janar Prokuroria Speciale ka ngritur 5 aktakuza”.
“Interesi jonë është që të jemi ne të pajisur me informacione të sakta. Luftimi i krimit dhe korrupsionit konsiderohet që tash është i matshëm dhe nuk duhet të vuaj Kosova për këto kritere. Raportin me Këshillin Prokurorial e kemi futur në planin e punës dhe kriteret janë se të përmbushura sepse është fakt i pranuar nga institucionet evropiane. 63 raste janë të shënjestruara dhe 17 raste janë të plotfuqishme dhe ato kanë përfunduar, 23 raste janë në fazën e gjykimit. Procesi i vettingu mendoj që duhet të vazhdojë”.
Zemaj ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Integrimit Evropian që të sjellë raportin për pranimin e financimit nga BE-ja në këtë kohë, mirëpo ai tha se një raport të tillë ministria ende nuk e ka gati.
“Ne kemi kërkuar raport nga Ministria e Integrimit për të parë pranimin e financimit nga BE-ja, prandaj konsideroj që kjo pikë të mbetet në shqyrtim pasi nuk kemi raportin. Përgjigjja e Ministrisë së ka qenë se koha ka qenë shumë e shkurtë për të përgatitur raportin”.
Fitore Pacolli nga VV-ja ka thënë se gabimin më të madh e kanë bërë partitë opozitare duke e rrëzuar një qeveri demokratike.
“Komisioni i BE-së ka rekomanduar që Kosova ka plotësuar kriteret. Ne kemi kuptuar që shtetet vendosin në përputhje me bindjet e tyre. Ne nuk kemi sistem të zhvilluar që duhet të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
“Gabimi tjetër është që kanë bërë deputetët dhe partitë opozitare kanë rrëzuar qeverinë më demokratike në Kosovë. Në aspektin teknik komisioni e ka kryer punën, por neve na duhet me ndryshuar perceptimin te shtetet anëtare”.
“Nëse thirrmi ne për aspekte teknike dhe e vendosim një qeveri jo demokratike nuk bëhet sepse ne nëse duam liberalizim të vizave atëherë duhet qeveri demokratike dhe jo njerëz të korruptuar”, ka shtuar Pacolli.
Ndërsa deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka thënë se duhet të inkurajohen institucionet e drejtësisë që të kryejnë punën e vet.Deliu-Kodra ka thënë se gjatë këtyre ditëve pritet edhe vendimi i Kushtetuese, por ajo ka thënë se duhet të ketë kujdes se si i adresohet këtyre institucioneve sepse ato janë të pavarura.
“Është e çuditshme që ne flasim në emër të shteteve të BE-së dhe është mirë ta ruajmë integritetin e këtij komisioni. E jona është që t’i inkurajojmë institucionet e drejtësisë që në këto raste institucionet ta kryejnë punën e vetë. Në ditën kur po e presim një vendim nga Kushtetuesja duhet të kemi kujdes se si po i adresohemi këtyre institucioneve sepse ato janë të pavarura”, tha Deliu-Kodra.
“Është e padrejtë që ne të themi këtu nuk i kemi kryer kriteret dhe është për keqardhje që në këtë komision deputetët thonë që Kosova nuk i ka përmbushur dhe shtetet e BE-së nuk e kanë votuar për arsye politike të tyre”.
“Sa i përket qeverive në ndër vite kemi rrëzuar qeveri dhe nuk konsiderohet se qeveritë duhet të mbahen në qeveri për liberalizim të vizave”./Tv Malisheva