“Raporti i ZRRE-s nuk është as final e as fatal”.

Më ndryshe se këtë deklaratë të kryeministrit Albin Kurti, propozimin e këtij institucioni për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga 1 shkurti, po e shohin nga opozita.

Ai po kërkohet të kthehet në pikën zero nga Ferat Shala i PDK-së.

“Po presim që të hidhet poshtë si raport. Për arsye sepse është raport jo ligjor. Është raport i hartuar nga ZRRE dhe Qeveria bashkë. Eshtë raport që pasqyron gjendjen jo reale të ngritjes së çmimit”, u shpreh Shala.

Këto komente deputeti i bëri të hënën, në ditën kur bordi i ZRRE-s mbajti seancën e dytë, por nuk vendosi për të miratuar ose jo raportin.

Aktualisht sipas ZRRE-s, rryma do t`u faturohet më lart atyre që konsumojnë 600 e më tepër kilovatë. Bllok-tarifat nuk vlejnë për bizneset.

I këtillë siç është raporti do të kundërshtohet përmes jo pak formave.

“Në mënyrë demokratike ligjore, kushtetuese, duke përdorë të gjithë mekanizimat ligjorë, gjykata e shumëçka tjetër. Por do të jemi në kundërshtim permanent. Ne duhet ta harxhojmë debatin brenda institucioneve. Une nuk them se PDK merr përsipër protestat, daljen në rrugë”, u shpreh Shala.

Shala ka një koment edhe për akuzat e Kurtit i cili fajtor për krizën energjetike ne vend i la edhe qeverisjet e kaluara.

“Në përballje me të vërtetën ai duhet të gjej arsyetim. Në këtë aspekt nuk është i pashkathtë. E kaluara nuk e zgjidh problemin e sotshëm, problemin e energjisë, inflacionit, pandemisë. Qeveria Kurti me aq sa merret me të kaluarën është duke e dëmtuar të ardhmen”, deklaroi Shala.

Shtrenjtimin e energjisë e kanë kundërshtuar të gjitha partitë opozitare. Përdallim nga to, ajo në pushtet, LVV e ka përkrahur./TV Malisheva

Share.