Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përdor ligjet njëjtë edhe në pjesën veriore, edhe sa i përket energjisë elektrike.
“Me këtë tarifë që po e propozon Qeveria me rritjen e çmimit të energjisë elektrike të lirohen serbët e pjesës veriore të lirohen edhe komunitetet tjera sepse duhet të ketë një superkomunikim mes komuniteteve dhe këtu po bëhen dy lloj diskriminimesh edhe ndaj komuniteteve tjera jo shumicë por edhe ndaj pjesës tjetër. Ne duhet të paguajmë të gjithë dhe Qeveria duhet ta përdorë të drejtën e vet edhe ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe ta shtrijë ndikimin e vet edhe në pjesën veriore”, ka deklaruar Kadrijaj.
Sipas saj, është pikërisht Lëvizja Vetëvendosje partia në pushtet e cila ë kohën sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar në masë të madhe mospagesën e rrymës në pjesën veriore.
Sipas propozimit të ZRRE-së, tarifa për konsumatorët me 800 kwh rrymë të shpenzuar në muaj do të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, derisa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.
Ndaj, shtrenjtimit të energjisë elektrike dje në Kosovë është organizuar një protestë nga qytetarët të cilët kanë kundërshtuar këtë, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë një gjë të tillë.
Në protestë qytetarët kanë kërkuar të mos aprovohet bllok tarifa e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe që të nacionalizohet Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Kurse, një protestë tjetër e thirrur nga Partia Socialdemokrate do të mbahet këtë të shtunë.
Pjesëmarrjen në këtë protestë e kanë konfirmuar edhe partitë opozitare./TV Malisheva